“E vërteta ime”, Belina Pupa rrëfen sakrificat me Vis Pupën: Nga 7 mijë dollarë në bankë te vendimet që na ndryshuan jetën

10/05/2026 19:30

Pas një viti jo të lehtë, ku emrat e tyre u përmendën në akuza dhe zhurmë mediatike për një histori në Australi që më pas rezultoi pa bazë, Belina Pupa zgjedh të flasë ndryshe.

Në “Grida Duma Podcast”, ajo sjell një rrëfim personal, të qetë, por të fortë për mënyrën si është ndërtuar jeta dhe suksesi i saj me Vis Pupën. “Çdo sukses i imi nuk është vetëm i imi”, thotë ajo, duke e bërë të qartë që gjithçka ka qenë një rrugëtim i përbashkët.

Historia nis në Australi, në një moment kur duhej marrë një vendim i rëndësishëm: kush do të vazhdonte studimet për master. Ishte Visi ai që bëri hapin pas, duke i dhënë përparësi Belinës. “Ti je ajo që ke investuar më shumë te shkolla”, i kishte thënë ai. Një zgjedhje që, sipas saj, nuk harrohet.

Por sfidat nuk kanë munguar. Në një tjetër moment delikat, çifti kishte vetëm 7 mijë dollarë në bankë. Megjithatë vendosën të rrezikojnë dhe të investojnë në një film. “I futëm të gjitha aty”, kujton Belina. Projekti u realizua me shumë pak mjete, por me bindje dhe pasion, duke u kthyer sot në një histori që, siç thotë ajo, “mund të bëhet film më vete”.

Në intervistë, ajo ndalet edhe te marrëdhënia me partnerin, duke rrëzuar idenë që ekziston një formulë e vetme për çiftet. “Jo çdo marrëdhënie është njësoj. Është çështje balance”, shprehet ajo. Sipas Belinës, disa çifte funksionojnë më mirë me distancë, të tjerë duke ndarë çdo moment bashkë. Ajo dhe Visi i përkasin kësaj të dytës, pa përjashtuar nevojën për hapësira personale.

Rrëfimi i saj vjen si një kundërpërgjigje e heshtur ndaj gjithë asaj që është thënë për ta muajt e fundit. Pa tone mbrojtëse, por me histori konkrete, Belina Pupa duket se zgjedh të tregojë versionin e saj në mënyrën më të thjeshtë: duke folur për rrugën, jo për zhurmën.

Top Channel