Shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike, u akuzua se ishte burimi i virusit, vendi turistik mohon pretendimet: Nuk kemi lidhje

11/05/2026 11:08

Autoritetet në Ushuaia kanë mohuar pretendimet se qyteti mund të jetë burimi i shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, e cila aktualisht ndodhet në Tenerife të Spanjës, ku pasagjerët po evakuohen dhe kthehen në vendet e tyre.

Anija u nis më 1 prill nga Ushuaia, qyteti më jugor i Argjentinës, me 114 pasagjerë dhe 61 anëtarë ekuipazhi nga 22 vende të ndryshme.

Dyshimet mbi origjinën e virusit kanë nxitur spekulime se një turist mund të jetë infektuar në një vendgrumbullim mbeturinash pranë qytetit, zonë e frekuentuar nga turistët për vëzhgimin e zogjve dhe ku grumbullohen brejtës.

Megjithatë, drejtori i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor në provincën Tierra del Fuego, Juan Facundo Petrina, deklaroi se rajoni nuk ka regjistruar asnjë rast të hantavirusit që nga viti 1996, kur sëmundja u përfshi në sistemin kombëtar të raportimit.

Sipas tij, Tierra del Fuego nuk ka praninë e “miut me bisht të gjatë”, brejtësit që transmeton virusin, ndërsa kushtet klimatike dhe izolimi gjeografik i ishullit e bëjnë të pamundur përhapjen e tij në zonë.

Petrina vlerësoi se turistët mund të jenë infektuar mes datave 16 shkurt dhe 13 mars, gjatë udhëtimeve në rajone të tjera të Patagonisë veriore, ku hantavirusi është endemik.

Ndërkohë, qeveria argjentinase ka njoftuar dërgimin e një ekipi ekspertësh në Ushuaia për të hetuar praninë e mundshme të virusit dhe për të testuar brejtësit në zonën e deponisë së mbeturinave.

Epidemiologu Eduardo López nga Spitali i Fëmijëve Ricardo Gutiérrez në Buenos Aires tha se rasti kërkon hetime të mëtejshme, pasi ndryshimet klimatike dhe ekologjike mund të kenë zgjeruar habitatin e brejtësve që bartin sëmundjen.

Top Channel