Administrata amerikane kërkon masa për uljen e çmimeve të benzinës: Mund të pezullojmë taksën federale të karburantit

11/05/2026 09:03

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e pezullimit të taksës federale të karburantit, si pjesë e masave për të ulur çmimet e benzinës për qytetarët amerikanë.

Në një intervistë për NBC News, Wright tha se administrata mbështet “çdo masë” që ndihmon në uljen e kostove të karburantit në pompë.

Çdo hap që mund të ndërmerret për të ulur çmimin e karburantit dhe kostot për amerikanët mbështetet nga kjo administratë,” u shpreh ai.

Sipas Wright, qeveria amerikane ka ndërmarrë tashmë disa masa për të përballuar krizën energjetike, përfshirë përdorimin e rezervës strategjike të naftës, rishikimin e rregulloreve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit mbi përzierjet e benzinës dhe kërkesën ndaj rafinerive për të kufizuar ndërprerjet e mirëmbajtjes, me qëllim rritjen e prodhimit të karburantit.

Ai theksoi se ulja e çmimeve të energjisë lidhet drejtpërdrejt me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. “Kur të rikthehet lëvizja e lirë në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e energjisë do të bien,” deklaroi Wright.

Muajin e kaluar, Wright kishte paralajmëruar se çmimi i benzinës në SHBA mund të mos bjerë nën 3 dollarë për galon deri në vitin 2027, edhe nëse situata në Lindjen e Mesme stabilizohet më herët.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump kundërshtoi publikisht këtë parashikim, duke e cilësuar atë si “krejtësisht të gabuar”.

Top Channel