“I sulemi Ndrenikës pse puthi Veliajn nën vështrimin dashamirës të policit babaxhan”, akademiku Fuga analizon gjestin e aktorit: E rrallë të të mbështesë një mik kur s’ke pushtet

11/05/2026 21:54

Nga Artan Fuga

Puthja e Robertit!

Ka dy a tri ditë që merremi me puthje.

I sulemi Robert Ndrenikës sepse vajti në sallën e gjyqit të Erion Veliajt, e puthi në ballë, nën vështrimin dashamirës të policit, iu parapriu disa “krushqëve” të tjerë, i tha edhe tiradën teatrale se ç’i kishte mbetur për të bërë burg, ja merrte ai përsipër, si Ago Ymeri i përrallës së moçme, e bënte ai për të!

Për mua ngjarja e vërtetë nuk ishte fare puthja e Robertit, por sjellja e policit zëmërmirë e babaxhan! Po kini pak durim se do ta them se përse!

Kaq u desh të vlonte kazani! Dhe unë jam mbështetës i zjarrit që e bën kazanin të vlojë nisur nga rrjetet sociale. Po të më vënë në balancën e sotme mediat profesionale apo rrjetet sociale, si teknik do të zgjidhja të parat, por si qytetar të dytat. Faleminderit teknologjisë!

Cfarë nuk i thanë aktorit që kaq shumë i ka dhënë teatrit dhe kinematografisë shqiptare! Nuk lanë biografi pa i bërë. Madje i numuruan edhe rolet që ka luajtur në kuadrin e dramës socrealiste të prefektit, nënprefektit, e të tjerëve!

E kam thënë që tekstet e gjimnazit janë bërnut! Le që tekst estetike nuk ka fare a thua se edukojmë barbarë jo shqiptarë të shekullit 21!!!

Nuk gjykohet aktori për profilin e personazhit që krijon o të uruar! Ai ekzekuton skenarin, sikurse e ka konceptuar rregjisori, autori, po deshët edhe këshilli artistik, ose edhe organizata e partisë në disa rregjime! Aktori në skenë nuk luan veten e tij, madje as edhe atë personazh që do!

Se po qe kështu t’i sulemi edhe Carli Caplinit sepse si shumë gazmor e ka paraqitur ai Hitlerin duke luajtur dhe bërë ojna me Globin si top, a thua të ishte Messi !

Në historinë e teatrit njihen faza kur publiku evropian në shekullin e 19-të shpesh merrte dramën në teatër për ngjarje të vërtetë. Aktorët me role negative i nxirrnin nga dera e pasme e ndërtesës sepse kishin frikë se turma që i priste jashtë i rrihte.
Ishte famshme kur erdhi kinemaja masive në Shqipëri. Kishte spektatorë që iu bërtisnin hijeve mbi ekran : O i poshtër! O tradhëtar! Ose i inkurajonin: Putheeeeee! Ose bërtisnin : Vriteeeee!
Mosdallimi midis lojës teatrale dhe realitetit është një shkarje psikologjike në fillimet e teatrit. Arti është një lojë mes së vërtetës që duket si e pavërtetë dhe së pavërtetës që duket e vërtetë!

Kështu në vend të gjykojnë Robertin, gjykojnë personazhet që ai ka luajtur, hijet e tij në skenë, sikurse do të thoshte Frederik Niçja. Sa për Robertin, ai nuk duhet në asnjë rast të ketë mendim ndryshe nga militantët, nga turma, apo nga unë. Se unë kam qenë dhe jam kundër prishjes së ndërtesës së stërkonsumuar të Teatrit Kombëtar, por ja që Roberti nuk ishte me mendjen time. Si të them unë? Kush nuk mendon si unë, t’ja shënojmë në librin e shtëpisë!

Por sikur nuk ecën kështu opinioni publik! Përndryshe do të ishim një turmë e pështirë!

Siiiii? Puthi Erion Veliajn? Në sallën e gjyqit? Ja pra ku justifikoi korrupsionin e Erionit!

Po prisni more pak! E para Erioni ende nuk është shpallur fajtor. Në del i pafajshëm, shumë mirë! Në i provojnë korrupsionin, të vuajë dënimin dhe shpaguajë dëmin shoqërisë! Unë nuk jam aspak fans i administrimit dhe i politikave që janë ndjekur për urbanizimin e Tiranës. I quaj të dështuara! Por, për këtë nuk e ka fajin vetëm ai! Madje ai ka ardhur shumë vonë në këtë histori! Sikurse jam kundër reformës së dikurshme territoriale që tani duan ta ribëjnë! E ribëjnë sepse ajo që u bë doli shterpë! Po unë që qysh në fillim thashë se ajo është e dështuar, s’më dëgjoi njeri!

Por, Roberti kur e pyetën gazetarët se çfarë mendonte për akuzat kundër Velisë, ishte krejt i kthjellët: Kam ardhur të mbështes mikun tim në një ditë fatkeqe, pak a shumë tha, nuk merrem me akuzat, nuk është puna ime!

Po ku është thënë që kur një mik, qoftë edhe sikur të ketë bërë faje, apo gabime, lëre kur ende asgjë e tillë nuk i është komunikuar, bie në burg, në paraburg, e mbyllin në kështjellë, a në kamp përqendrimi, në spital psikiatrik, a në shkollën e vagabondëve, qenka e ndaluar, amorale, e poshtër, të shkosh ta takosh! Mos duhet të bëjmë si në kohët e parme kur të duheshe të merrje distancim nga gjyshi, apo dajat, apo xhaxhai, i dënuar, se ndryshe ikje si kovë pusi?

Unë për vete miqtë e mi që u ka ndodhur t’i izolojnë në shtëpi, apo në burg, pa u ngatërruar me punët dhe llogaritë e tyre me shtetin, i kam përshëndetur, uruar për datëlindje a gëzime të tjera, kam marrë përshëndetje prej tyre dhe u kam çuar të fala sa herë kam mundur! C’a të keqe ka!

Mirë, mirë, më thotë moralisti, por kur i tha Ndrenika që bëj burg për ty!

Po pse vërtet mund ta bënte? Apo mendoni se Roberti s’është krejtësisht i kthjellët? E keni gabim! Ai është aktor në stofin e tij psiqik të brendshëm. Teatrin e ka të shkruar nën lëkurë! Ajo është batutë teatrale, metaforë, sado miqësi mban brenda! Edhe ai, sikurse Erioni, e di mirë se burgun e Veliajt apo pafajësinë e tij do ta marrë vetë ky i fundit përsipër, askush tjetër!

Pse kur i themi dikujt : Ta hangasha syrin! – Vërtet duam t’ja hamë? Po kur i themi : Vdeksha për ty!, seriozisht e kemi apo bëjmë teatër? Vërtet të gjithë vemë në skenë për ditë lojën tonë teatrale (Goffman), por aktorë si Roberti nuk jemi të gjithë! Madje nuk i vijmë atij në këtë pikë as te kërciri!

Për mua domethënëse ishte sjellja e policit zëmërmirë. Ai i priti të gjithë përzëmërsisht, ata që vinin të takonin të akuzuarin, e puthnin, si Roberti. Polici babaxhan madje u kujdes që t’u gjente vend të uleshin, t’i sistemonte dhe rehatonte nëpër karrige!!!

Ajo figurë më tronditi sepse ishte simbol i diçkaje që askush nuk e artikulon, as analistët, as ish shokët dhe miqtë partiakë të Erionit, as ish bashkëpuntorët e tij të afërt, shokë në bashki, madje as vetë Erioni!

Ajo mirësjellje policore, besoj në anashkalim dhe mbikalim të ligjit, mu duk se thoshte: Ky vërtet është dënuar! Partia dhe bashkia e tij, këshilltarët e tij e kanë flakur tej! Cka e vërteton shpallja e vendit vakant në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, ku veç kryeministrit, u përfshi edhe Presidenti. Vendim i anulluar nga Gjykata Kushtetuese. Por, është edhe joni! Ja polici sillet miqësisht, nuk ka ftohtësinë dhe distancimin cinik të ligjit!

Je yni, por në bangën e të akuzuarit!
Je i akuzuar, të kemi flakur, por je yni!

Sepse mu kujtua kohët e vjetra kur kuadro të lartë të diktaturës e dinin në burg se ishin edhe të dënuar, por mbeteshin edhe të partisë!

Shtynin kohën mes dëshpërimit dhe shpresës! Yni, por në burg, në burg, por yni!

Juridikisht çështja është e qartë! Atë nuk e zgjidh fare puthja e Robertit. Fjalën do ta thotë drejtësia. Ajo drejtësi që është. Këtu, por edhe gjetiu besoj!

Pa u ngatërruar me punët e shtetit, duke e ditur se nuk mund të përfitojë ndonjë gjë tjetër nga miku i tij, përsëri Roberti iu gjet pranë atij! Thoni çfarë të doni! Sot është e rrallë që kur këmba rrëshket, mirënjohja ose miqësia të ruhet! S’ka shporta fiq, s’ka miq! Roberti shkoi kundër kësaj!

Pse shkoi kundër rrymës? Është vështirë që gjithkush ta kuptojë që intelektuali që ka një jetë që jeton si i tillë, artisti në këtë rast, është i lirë, krejt i lirë! Nuk pyet fare se çfarë thotë shumica. Nuk i nënshtrohet fare votimit. Aq më pak për sjelljen e tij. Madje tentohet nga ecja kundër rrymës, merr adrenalinë! Nuk e kanë pasur kot ata që e kanë përkufizuar intelektualin, ndoshta prej qindra vitesh, mijëra mbase, si dikush që i kundërvihet asaj që është e zakonshme, mesatare, e rëndomtë, që duket e natyrshme, përse jo që duket edhe morale. Aq më shumë një aktor që profesionalisht luan me spektatorët e tij, nuk janë spektatorët që luajnë me të.

Politikisht situata është e paqartë sepse paradoksale: Erion Veliaj ndodhet midis të qënurit yni (i tyre) dhe i akuzuar!

Kjo e çfazon sjelljen e policit! Ai lëkundet midis respektuesit të ftohtë të ligjit dhe mikpritësit dashamirës dhe zëmërmirë të miqve të të akuzuarit!

Top Channel