Mbrëmja e çmendur e Ronaldos/ Shënon, provokon Demiral dhe zihet me tifozët: Ky nuk është futboll

30/04/2026 13:43

Një mbrëmje e çmendur u shënua në sfidën mes Al Nassr dhe Al Ahli në kampionatin arab të futbollit. Cristiano Ronaldo shënoi me një gjuajtje me kokë golin e tij të 970 në karrierë dhe më pas Coman mbylli llogaritë e sfidës duke vulosur fitoren 2-0 të Al Nassr.

Kur kanë mbetur 4 javë nga fundi i kampionatit Al Nassr është 8 pikë para Al Hilal të Simone Inzaghit, me këtë të fundit që ka një ndeshje më pak dhe shpreson që në ndeshjen direkte në javën e parafundit të vërë në dyshim verdiktin e sezonit.

Por në sfidën e zhvilluar në mbrëmjen e së mërkurës atmosfera u ndez pas një faulli të rëndë të Coman në dëm të Demiral në fundin e ndeshjes. Ish mbrojtësi i Juventusit, pas përfundimit të ndeshjes u ankua për episodin me vetë Ronaldon që nuk i rezervoi një trajtim miqësor. Portugezi filloi të qeshë duke provokuar kundërshtarin e tij që drejtoi gishtin tek ai për të tentuar më pas një konfrontim ballë për ballë me Coman

Gjakrat u ndezën pak më vonë kur Demiral tregoi para tifozerisë së Al Nassr medaljen e artë të Champions League Aziatike që Al Ahli e fitoi javën e kaluar, titulli i dytë radhazi për këtë skuadër në këtë kompeticion. Një moment që gjeneroi akoma më shumë kaos, ndërkohë që klima në kampionatin arab të futbollit edhe më parë ishte e tendosur. Pak javë më parë, sulmuesi i Al Ahli, Toney në përfundim të ndeshjes me Al Fahya foli për 2 penallti të mohuara ndaj skuadrës së tij duke shtuar se arbitrat i kishin thënë që të përqendrohej te Champions League Aziatike duke nënkuptuar se gjithçka po bëhet për t’i dhënë titullin Al Nassr

Ishte ky episodi i fundit që shkaktoi një debat të gjatë në rrjetet sociale në lidhje me vendimet arbitrare në favor të skuadrës së Cristiano Ronaldos që po kërkon të fitojë titullin e parë në Saudi Pro League. Vetë luzitani gjatë një interviste në fund të ndeshjes reagoi ndaj talljeve të tifozëvë të Al Ahli që  i tregonin dy titujt radhazi të fituar në Champions League Aziatike. Ylli portugez reagoi duke treguar me dorë numrin 5 të Champions League Evropiane të fituara prej tij

Ndërsa në intervistë, Ronaldo iu përgjigj aludimeve për parregullsi të kampionatit.

‘Do të flas në fund të sezonit sepse kam parë shumë episode të shëmtuar-tha Ronaldo-shumë lojtarë postojnë në Instagram duke u ankuar për arbitrat dhe Ligën. Nuk është mirë, flisni me Saudi Pro League, sepse ky nuk është futboll’.

Top Channel