Kthimi i Toni Kroos po afrohet çdo ditë e më shumë. Kthimi i tij te Real Madridi nuk ka të bëjë fare me atë se kush do të jetë trajneri i ardhshëm. Është një çështje krejtësisht e veçantë dhe po ecën në linja të ndryshme nga çdo negociatë që mund të zhvillohet me ndonjë trajner.

Javë më parë, Florentino Pérez vendosi se kishte ardhur koha të fillonte procesin e rikthimit të një prej figurave kryesore të ekipit fitues, që dominoi Evropën me gjashtë tituj të Champions League në dhjetë vjet.

Që nga ai moment, Real Madridi filloi të punonte për të finalizuar rikthimin e një lojtari që la gjurmë gjatë dhjetë viteve të tij me fanellën e bardhë.

Kroos u bë një model dhe shembull për t’u ndjekur për tifozët e Real Madridit dhe shumë rivalë, prandaj edhe drejtuesit e klubit janë të interesuar të rikthejnë një figurë, që arriti t’i bashkojë të gjithë për sa i përket cilësisë së tij në futboll dhe sjelljes së tij brenda dhe jashtë fushës.

Kontaktet fillestare janë bërë tashmë dhe ata në Valdebebas besojnë se mundësia e rikthimit të ish-mesfushorit mund të bëhet realitet në ditët në vijim. Ish-fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 2014 i është përkushtuar plotësisht akademisë së futbollit që themeloi që kur vari këpucët në gozhdë.

Në fakt, ai është parë me ekipet e tij të ndryshme në disa raste në kompleksin stërvitor të Real Madridit gjatë gjithë sezonit. Ai vepron si udhëheqës, trajner dhe mentor, duke ua përcjellë kuptimin e tij të lojës lojtarëve më të rinj.

Në ditët e fundit, është folur se ardhja e Kroos do të lidhej me atë të Jurgen Klopp. Dëshira për ta parë ish-lojtarin e Real Madridit përsëri në Madrid i paraprin vendimit për të ndryshuar trajnerin. Ardhja e tij ka më shumë të bëjë me forcimin e listës së ish-lojtarëve që tashmë punojnë për klubin.

Top Channel