Thirrja e ambasadës iraniane në Londër për “sakrificë të jetës” ngre alarmin për sigurinë, ekspertët paralajmërojnë për rrezik radikalizimi

27/04/2026 21:55

Ambasada e Iranit në Londër ka shkaktuar reagime dhe shqetësime për sigurinë kombëtare në Mbretëria e Bashkuar, pasi u bëri thirrje iranianëve që jetojnë në Britani të regjistrohen në një program të quajtur “Jan Fada”, që përkthehet si “sakrificë e jetës”.

Sipas raportimit të Daily Mail, mesazhi i publikuar në gjuhën perse në kanalin zyrtar të ambasadës në Telegram u drejtohej “bashkatdhetarëve krenarë iranianë” dhe i ftonte ata të shprehnin interes për programin si shenjë “solidariteti, besnikërie dhe zelli kombëtar”.

Përmbajtja e postimit ka ngjallur reagime të forta, pasi përfshin thirrje të drejtpërdrejta për sakrificë: “Le t’i japim të gjithë trupat tanë për t’u sakrifikuar, sepse është më mirë sesa t’ia dorëzojmë vendin tonë armikut”.

Megjithëse programi “Jan Fada” është prezantuar si një iniciativë që “nuk promovon asnjë formë armiqësie”, ekspertët e sigurisë shprehin shqetësim për ndikimin e tij. Roger McMillan, ish-drejtor sigurie i Iran International, e cilësoi situatën “të tmerrshme”, duke paralajmëruar se mund të jetë një përpjekje për të radikalizuar individë në internet dhe për t’i nxitur ata të veprojnë në mbështetje të regjimit iranian brenda territorit britanik.

Nga ana tjetër, Nadeh Fala nga organizatat për të drejtat e njeriut e quajti zhvillimin një “thirrje zgjimi” për autoritetet britanike, duke kërkuar që Garda Revolucionare e Iranit të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste. Sipas tij, kjo strukturë po përpiqet të ndikojë dhe të rekrutojë mbështetës edhe jashtë Iranit.

Programi i drejton të interesuarit drejt platformës zyrtare konsullore “Mikhak”, e përdorur zakonisht për shërbime administrative, si aplikimet për pasaporta apo regjistrimet civile.

Zhvillimi vjen në një klimë të tensionuar në Londër, ku autoritetet po hetojnë gjithashtu incidente të fundit të lidhura me grupe të dyshuara pro-iraniane. Ndërkohë, kryeministri Keir Starmer ka paralajmëruar më herët për mundësinë e shpalljes së Gardës Revolucionare si organizatë terroriste, edhe pse legjislacioni përkatës nuk është miratuar ende.

Nga ana e saj, ambasada iraniane këmbëngul se iniciativa synon vetëm të forcojë ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe nuk ka lidhje me nxitjen e dhunës, duke i cilësuar kritikat si të pabazuara.

Top Channel