“Ajo po shkëlqen si një vejushë e ardhshme”, Melania Trump sulmon Jimmy Kimmel: I kërkon ABC të marrë masa pas monologut polemik

27/04/2026 19:09

Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka reaguar ashpër ndaj komedianit dhe prezantuesit të njohur Jimmy Kimmel, duke i kërkuar rrjetit televiziv ABC të “mbajë qëndrim” pas një monologu të tij që ka shkaktuar polemika.

Në një postim publik, ajo e akuzoi Kimmel për përdorim të “retorikës së urryer dhe të dhunshme”, duke shtuar se fjalët e tij “po e gërryejnë dhe thellojnë sëmundjen politike në Shtetet e Bashkuara”. Sipas saj, figura të tilla “nuk duhet të kenë mundësinë të hyjnë çdo natë në shtëpitë tona dhe të përhapin urrejtje”.


Melania Trump shkoi edhe më tej, duke e quajtur prezantuesin një “frikacak që fshihet pas ABC-së”, ndërsa i bëri thirrje drejtuesve të rrjetit të ndërhyjnë: “Mjaft më. Është koha që ABC të marrë qëndrim. Sa herë do të lejohet që kjo sjellje të dëmtojë komunitetin tonë?”
Reagimi i saj erdhi pas një monologu satirik të Kimmel, ku ai ironizoi presidentin Donald Trump dhe bashkëshorten e tij, duke bërë një koment se Melania “shkëlqen si një vejushë e ardhshme”. Ky segment u transmetua disa ditë para incidentit me të shtëna gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.


Ndërkohë, kompania mëmë e ABC-së, The Walt Disney Company, kishte pezulluar përkohësisht prodhimin e emisionit “Jimmy Kimmel Live!” më 17 shtator, pas një tjetër monologu ku Kimmel kritikoi mbështetësit e Trump në lidhje me një vrasje të bujshme. Megjithatë, pas reagimeve të forta, emisioni u rikthye dhe kontrata e Kimmel u zgjat deri në mesin e vitit 2027.
Nga ana tjetër, presidenti Trump ka qenë shpesh kritik ndaj emisioneve të natës së vonë, duke kërcënuar madje me revokim licencash për rrjetet televizive që, sipas tij, nuk marrin masa ndaj përmbajtjeve të tilla satirike.

Top Channel