“Irani po i poshtëron SHBA”, kancelari gjerman, Merz: Teherani shumë i aftë për të mos bërë negociata, por kjo nuk shkon

27/04/2026 20:15

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të hënën se udhëheqja e Iranit po e poshtëron SHBA-në, duke kritikuar qasjen e Teheranit për negociatat.

Merz ka thënë gjithashtu se nuk e ka të qartë se çfarë strategjie po ndjek SHBA për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Këto komente theksojnë përçarjet e thella midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë në NATO, të cilat tashmë kishin filluar për shkak të Ukrainës dhe çështjeve të tjera.

“Iranianët janë qartazi shumë të aftë në negociata, ose më saktë, shumë të aftë për të mos negociuar, duke i lënë amerikanët të udhëtojnë në Islamabad dhe pastaj të largohen pa asnjë rezultat. Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga të ashtuquajturat Trupat e Gardës Revolucionare Islamike. Dhe shpresoj që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo nuk më duket aspak e drejtë”, tha Merz.

Merz ka theksuar gjithashtu se Gjermania dhe Evropa nuk ishin konsultuar përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, dhe se ai i kishte shprehur drejtpërdrejt skepticizmin e tij Trump-it më pas.

“Nëse do ta kisha ditur se kjo do të vazhdonte për pesë ose gjashtë javë dhe do të përkeqësohej gjithnjë e më shumë, do t’i kisha folur edhe më shumë dhe më fort”, tha Merz.

Shpresat për rifillimin e përpjekjeve për paqe janë zbehur që kur Trumpi anuloi të shtunën një vizitë të të dërguarve të tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad.

Top Channel