Inside Story/ Strategji të dështuara: Çdo vit shtohen qindra fëmijë në situatë rruge, shumica romë dhe egjiptianë

15/04/2026 21:28

Barriera kulturore dhe qëndrimi larg arsimit, bën që anëtarë të komunitetit rom të jenë në situata të njëjta prej vitesh, madje edhe brezash. Për këtë kategori, thuajse nuk ka përpjekje të përfshihen në programet sociale.

“Arsimi, strehimi, punësimi, janë faktorë që mblidhen të gjitha bashkë dhe çojnë te varfëria ekstreme. Arsimi është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë pikën e kthesës në një komunitet sidomos kur është në kushte shumë të vështira. Rreth 78% e fëmijëve romë dhe egjiptianë sa u përket arsimit të detyrueshëm, janë jashtë këtij sistemi”, u shpreh Franko Velia, ‘Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania’

“Kemi prindër që kemi pasur, që kanë qenë fëmijë, prindër, gjyshër e stërgjyshër që fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të tyre vazhdojnë të jenë në rrugë. Pra, kemi një mbivendosje gjeneratash që vazhdojnë të jenë në rrugë”, u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Teorikisht, Shqipëria ka një sërë strategjish që janë ndërtuar me idenë e reduktimit të varfërisë dhe shkrirjen sociale të anëtarëve të komunitetit rom në shoqëri. Më konkreti ishte Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025.

Ky është dokumenti kryesor strategjik për integrimin e këtyre komuniteteve. Strategjia përfshin kapituj të veçantë për: arsimin, punësimin, strehimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, regjistrimin civil dhe mosdiskriminimin.

Megjithatë, raportet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se progresi është i pjesshëm dhe shumë indikatorë nuk janë realizuar. Studime të Save the Children, Terre des Hommes dhe ARSIS tregojnë se çdo vit identifikohen qindra fëmijë në situatë rruge. Rreth 70-75% e tyre janë romë ose egjiptianë dhe shumë prej tyre përfshihen në aktivitete si: lypja, mbledhja e materialeve të riciklueshme apo shitja ambulante.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se fenomeni është shumë i nënraportuar, duke e bërë më të vështirë nxjerrjen e një statistike të saktë.

“Kemi një reagim kaq të ulët, për ta raportuar si fenomen dhe për të reaguar si shoqëri ndaj fenomenit”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes që mund të trajtohet si një dramë dhe problem social i cili nuk ka marrë zgjidhje. Nxjerrja e fëmijëve në rrugë, përbën një shkelje të rëndë penale dhe nxitja e këtyre situatave vendos përpara përgjegjësi penale këdo që e bën diçka të tillë.

“Ky është një fenomen që duhet trajtuar në formën e trafikut të qenieve njerëzore. Është në kufijtë e shfrytëzimit të punëve të detyruara dhe për këtë arsye organet ligjzbatuese, duhet ta shohin në një prizëm tjetër. Jo vetëm si problem social, që mbetet e tillë, por edhe si një vepër penale e rëndë. E cila krijon jo vetëm probleme sociale, por edhe kriminalitet”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci

Top Channel