“Për mua ka qenë udhëtim sfidues, i vështirë. Kam pasur përjashtim social që në fëmijëri, një lloj përjashtimi, që nga shkolla, që nga shoqëria, deri diku. Viheshin re dallimet etnike, për moshën tonë shiheshin nga ngjyra e lëkurës”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania.
“Faktori paragjykim, diskriminim, është një ndër thelbësorët, por jo i vetëm”, u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Prokurorja Alma Bramo, e cila ka drejtuar hetimet në Tiranë që çuan në pranga 8 persona, prindërit, që shfrytëzonin fëmijët për të lypur, tregon plagën më të madhe sociale që ishte hapur te këta të mitur.
“Pothuajse të gjithë fëmijët që ne kemi intervistuar, ose nuk kishin filluar asnjëherë shkollën, ose në një moshë që duhet ta mbaronin dhe ata ishin në klasë të parë dhe dy fëmijë që ishin në shkollë, njëri nuk dinte të shkruante dhe të lexonte dhe tjetri ishte në rrezik braktisjeje, sepse të kthehesh në shtëpi në orën 6 të mëngjesit, nuk mund të jesh gati të nisësh aktivitetet në orën 8 më pas”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
“Fenomeni i segregimit është shumë prezent, madje edhe në shkolla ka segregim. Përmbajtja e shkollës është homogjene dhe mungon ndërveprimi social, dhe mungojnë rastet e shembujve pozitivë. Ne kemi ndjekur raste që janë në gjykim, shkolla të segreguara, të gjitha me kontingjent rom”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania.
Duket se është krijuar një rreth vicioz që ndërton brezat, por jo stilin e jetës së rrugës për fëmijët. Këta vogëlushë që detyrohen sot të lypin duke braktisur shkollën, në moshë madhore do të jenë analfabetë që nuk do të dinë shkrim dhe këndim.
“Ka edhe stigmatizime që thonë është kulturalisht e trashëguar dhe fëmijët romë duhet të lypin sepse e trashëgojnë brez pas brezi. Lypja nuk trashëgohet brez pas brezi, por varfëria patjetër që po, përjashtimi social, patjetër që po”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania.
“Të gjitha familjet që u evidentuan, ishin familje me nënë, babanë dhe kishin banesë. Gruaja e shtëpisë dhe fëmija duhet të siguronin të ardhura. Baballarët nuk kanë punuar, thjesht bënin transportin, blinin lulet”, u shpreh Alma Bramo, prokurore.
Kjo është pasqyra kryesore e familjeve rome, që fatkeqësisht, nuk kanë arritur të integrohen si duhet. E nëse flasim për braktisje shkolle, kjo vjen edhe për shkak të një faktori tjetër mjaft të rëndësishëm, që është varfëria ekstreme. Komuniteti rom dhe egjiptian, në një masë të konsiderueshme jeton ende në banesa të paqëndrueshme dhe jashtë çdo kushti, qoftë të mirëqenies fizike, por edhe higjieno-sanitare.
“Ku jetojnë fëmijët romë, i ke parë? Shumica e fëmijëve romë jetojnë në qese plastike të mbuluara. A është jetesë ajo? Shteti ka për detyrë për çdo qytetar të garantojë strehë dhe që këtu nis diskriminimi. Në momentin që ke garantuar strehë, në momentin që ke garantuar punësim, integrim, formësim profesional. Në momentin që ke marrë masat dhe prindi shfrytëzon fëmijët, këtu ndërpritet marrëdhënia dhe prindi dhunon fëmijën dhe jep llogari para ligjit”, u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“Nuk mund të flasim për arsim cilësor, kur një fëmije i mungojnë nevojat bazë për të ndjekur arsimin. Shkon nga klasa e parë në klasë të pestë, për shkak që kushtet ekonomike janë të vështira, duhet të jetë kontribuues në aspekt ekonomik, pasi prindërit nuk janë në kushte pune dhe janë të përfshirë në sektorin informal. Mbetje të riciklueshme, kushtet e strehimit janë skandaloze fare. Ka komunitete që jetojnë në baraka dhe çadra, në banesa të paqëndrueshme”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania.