Turizmi, sfida është cilësia / Pritet sërish numër rekord vizitorësh, por kërkohen standarde më të mira

04/05/2025 13:37

Viti që lamë pas ishte i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, me një numër të lartë vizitorësh të cilët shijuan pushimet e tyre përmes bukurive natyrore që ofron vendi ynë.

Këtë vit, pritshmëritë janë për më shumë turistë, të cilët, përmes vlerësimeve të tyre, e ngrejnë më lart emrin e Shqipërisë në aspektin turistik.

Eksperti i turizmit, Rigers Beqiri, thotë: “Turistët do të vazhdojnë të marrin një eksperiencë të personalizuar dhe unike, ashtu siç di shqiptari ta japë për mysafirët. Shqipëria vitin e kaluar pati rreth 11 milionë vizitorë, ndërsa këtë vit presim që të kemi rreth 13 milionë. Për Shqipërinë kjo është një shifër e madhe, por vendi ynë ka çfarë të ofrojë në të gjithë territorin e tij.”

Shqipëria, përmes destinacioneve të shumta që ka, u jep mundësi zgjedhjeje turistëve për të pushuar si në mal, ashtu edhe pranë detit.

“Turistët që dëshirojnë të vizitojnë natyrën dhe malet dhe të bëjnë hiking, më së shumti shkojnë në Theth dhe Valbonë. Po të afrohemi në zonat më qendrore të Shqipërisë, në Tiranë dhe Krujë kryesisht ka kulturë dhe histori, përfshirë këtu edhe Beratin. Më pas kemi detin mahnitës me plazhe jashtëzakonisht të bukura”, shton Beqiri.

Por një numër i lartë vizitorësh paraqet edhe sfida për turizmin shqiptar. Sipas ekspertëve, një ndër to është standardi që u ofrohet turistëve.

“Mendoj se sfida kryesore për këtë vit është cilësia dhe standardizimi. Kur një turist drejtohet drejt një biznesi të tillë, duhet të dijë çfarë shërbimi merr – pra, të jetë i qartë target-grupi me të cilin bizneset operojnë. Sepse na ka ndodhur që një biznes ofron një shërbim, le të themi me 5 yje, por faktikisht ai është në nivelin e tre yjeve”, shprehet eksperti.

Sakaq, fuqia punëtore është një tjetër sfidë që ka prekur jo vetëm Shqipërinë, por edhe të gjithë Europën. Megjithatë, një zgjidhje vendi ynë duket se e ka gjetur, duke marrë punëtorë nga jashtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta