Artizanati shqiptar nga tradita në modernitet, panairi me produktet autentike vendase

30/04/2025 14:49

ZAN’ART ishte aktiviteti i organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për të prezantuar “artizanatin shqiptar nga tradita në modernitet”.

Përmes 35 ekspozitorëve të artizanatit shqiptar do të demonstrojnë produkte autentike si qeleshja shqiptare, çiftelia në miniaturë, kostumet kombëtare, suvenire dhe veshje me motive shqiptare, qëndisjet tradicionale, punimet në dru dhe qelq, poçeria e filigrani, maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.

“Zan’Art” synon të krijojë një urë të gjallë ndërmjet brezave, sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, duke i rikthyer artizanatit shqiptar vendin që meriton në shoqëri,  jo thjesht si mjeshtëri, por si një formë e gjallë e trashëgimisë kulturore.

Një nga simbolet më të fuqishme të kësaj trashëgimie është xhubleta, mbi 4 mijë vjeçare, një dëshmi e gjallë e historisë, dinjitetit dhe identitetit të gruas shqiptare ndër shekuj. Sot e njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore, Xhubleta mishëron jo vetëm të shkuarën tonë, por edhe potencialin për të promovuar kulturën tonë ndërkombëtarisht.

I pranishëm në aktivitet, ministri Blendi Gonxhe u shpreh se artizanati është një prioritet strategjik për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Në kuadër të Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, këtë vit përmes Fondit të Artizanëve, mbështetëm 47 projekte, me një fond prej 30 milionë lekë, duke përfshirë artizanë të punimeve në dru, gur, metale, kostume popullore, filigran, tezgjah, kulinari tradicionale, qendistari e shumë të tjera e ku një fokus të veçantë ka pasur dhe tejçimi i dijebërjes te brezat më të rinj”.

Gonxhe foli për certifikime të posaçme për artizanët, që produktet e tyre të kenë vlerë dhe besueshmëri, të krahasueshme me tregjet e Bashkimit Evropian.

Kjo nismë do të ndihmojë që çmimi i një produkti artizanal shqiptar të rritet me më shumë se 5 herë, duke i dhënë artizanit vlerën që meriton. Gjithashtu, po punojmë për t’u krijuar hapësira artizanëve që të shesin produktet e tyre pranë siteve kulturore të vizitueshme, si në kala, parqe arkeologjike dhe muze, duke i kthyer këto vende jo vetëm në pika të trashëgimisë, por edhe në burime gjallërimi ekonomik dhe promovimi të vlerave artizanale”, tha ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta