EMRAT/ Të akuzuar për mashtrim me Call Center dhe vjedhjen e 7 milionë eurove, Apeli i GJKKO kthen dosjen për rigjykim

23/04/2025 13:08

Apeli i GJKKO ka kthyer për rigjykim dosjen ndaj të pandehurve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, të akuzuar për mashtrim me Call Center dhe vjedhjen e 7 milionë eurove.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), sot shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 13 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimeve të ankuesve/të pandehurve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, kundër vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Prishjen e vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar dërgimin e akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.

Në 2024, GJKKO ka dhënë vendimet për 13 të akuzuarit për mashtrim me vlerë rreth 7 milion euro të shtetasve gjermanë përmes call center-ave.

Erjon Kasmi, që konsiderohet personi kyç i një grupi kriminal, i akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe për krijim të grupit të strukturuar kriminal është shpallur fajtor dhe është dënuar me 7 vite e katër muaj burg.

Ai së bashku më 12 persona të tjerë dyshoheshin se kanë mashtruar nëpërmjet thirrjeve telefonike qytetarë gjermanë duke u zhvatur eurot. Për bashkëpunëtorin e tij Xhulian Xhafën Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e ka dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim.

Organi i akuzës ka sekuestruar më herët disa llogari bankare të të akuzuarve si dhe disa pasuri të paluajtshme.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta