
Ka nisur seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancë duhet që deputetët të bëjnë betimin dhe të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët.
Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, duhet të propozojë emrin për kryeparlamentarin e ri, për zgjedhjen e të cilit duhen 61 vota. Deri më tani nuk dihet se kë do të propozojë LVV-ja për këtë post.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën formimit të Qeverisë. Por, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ende nuk ka njoftuar se i ka siguruar votat për ekzekutivin.
Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.
Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.
Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.
Top Channel