
Stadiumet nuk kanë qenë shurdhuese këtë sezon në kampionatin e Superiores, sepse mungesa e tifozëve ka qenë e dukeshme në stadiume, por gjithsesi ngarkesa për arbitrat mbetet e lartë.
FSHF është kujdesur që ata të kenë një bisedë me psikologen, që njëkohësisht është edhe pjesë zyrës për shtyp të FSHF, Lenida Halilaj.
Ja njoftimi i plotë i federatës:
“Teksa po i afrohemi fazës kulminante të kampionatit “Abisnet Superiore” dhe fazës Final 4, sektori i Arbitrimit në FSHF ka organizuar një aktivitet me të gjithë arbitrat e Superiores në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte për të përgatitur sa më mirë arbitrat për ndeshjet e ardhshme dhe për të diskutuar në lidhje me situatat e lojës dhe ndikimin psikologjik tek të gjithë aktorët e përfshirë.
Fillimisht arbitrat kanë zhvilluar një seancë stërvitore në drejtimin e përgatitësve atletik, seancë që ka pasur më shumë karakter relaksues dhe zbavitës.
Më tej, seanca vijoi me një bashkëbisedim mes arbitrave, drejtuesve të Departamentit të Arbitrimit dhe psikologes Lenida Halilaj.
Në këtë bashkëbisedim secili arbitër u shpreh rreth komunikimit mes kolegëve, balancimi i jetës personale me atë profesionale dhe vështirësive të punës.
Duke marrë në konsideratë që ndodhemi në fazën e fundit të “Abissnet Superiore”, fokus i rëndësishëm iu dha mënyrës si i menaxhojnë situata të papritura në fushë, të qëndruarit objektivë pavarësisht presioneve të jashtme, si dhe impaktin e medias dhe rrjeteve sociale në nivelet e stresit.”
Top Channel