
Agjencia e sigurisë së brendshme të Izraelit, Shin Bet, ka thënë se politikat e Benjamin Netanyahu ishin ndër shkaqet themelore të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin Hamasi dhe militantë të tjerë vranë rreth 1200 izraelitë.
Në raportin e saj mbi sulmin e 7 tetorit, Shin Bet pranoi përgjegjësinë e vet, duke shtuar se ishte në dijeni të shenjave paralajmëruese se Hamasi po planifikonte një operacion, por agjencia, e njohur gjithashtu si Shërbimi i Sigurisë së Përgjithshme (GSS), nuk e kuptoi shkallën, kohën dhe vendndodhjen e sulmit të planifikuar.
Megjithatë, raporti argumentoi gjithashtu se një varg politikash të qeverisë izraelite ndihmuan në hapjen e rrugës për sulmin e Hamasit.
Ndër arsyet kryesore për sulmin e 7 tetorit ishte dhe politika e Netanyahut, që sipas raportit, e kishte nënvlerësuar një kryengritje të mundshme të Hamasit, duke e lënë pas dore sigurinë në kufi.
Raporti Shin Bet vuri në dukje gjithashtu lutjet e përditshme çifute që janë zhvilluar vitet e fundit në kompleksin përreth xhamisë al-Aksa të Jerusalemit, e njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit. Lutjet shkelin një mirëkuptim 58-vjeçar me Jordaninë se vetëm muslimanët duhet të lejohen të falen në al-Aksa dhe sferën përreth tij, por ato u mbështetën nga ish-ministri i sigurisë kombëtare i koalicionit qeverisës, Itamar Ben-Gvir.
“Pesha kumulative e shkeljeve në Malin e Tempullit, trajtimi i të burgosurve palestinezë dhe perceptimi se shoqëria izraelite ishte dobësuar për shkak të dëmtimit të kohezionit social ishin të gjithë faktorë kontribuues në cenueshmërinë e Izraelit ndaj sulmeve”, thuhet në raport.
Top Channel