
Presidenti francez Emmanuel Macron, në takimin me homologun amerikan, Donald Trump, duke folur për luftën në Ukrainë, theksoi domosdoshmërinë e garancive të sigurisë që Moska të mbajë premtimet, ndërsa shtoi se çdo marrëveshje duhet “të kontrollohet dhe verifikohet”.
“Ne duam paqe. Ai dëshiron paqe. Ne duam paqe, paqe të shpejtë, por nuk duam një marrëveshje që është e dobët. Kjo paqe nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës”, tha Macron, duke folur për Trump.
Ndërkohë, Trump nuk ofroi asnjë përmendje të garancive të sigurisë kur foli në konferencën e përbashkët për shtyp.
“Kam folur me presidentin Putin dhe njerëzit e mi merren vazhdimisht me të. Kjo është ajo që bëj. Unë bëj marrëveshje. E gjithë jeta ime është marrëveshje. Kjo është gjithçka që di, marrëveshje. Dhe unë e di kur dikush dëshiron t’ia dalë dhe kur dikush jo”, vijoi Trump.
Më pas, teksa presidenti amerikan po komentonte ndihmën e dhënë nga Europa për Ukrainën, Macron e ndërpreu për ta korrigjuar.
“Evropa po i jep hua paratë Ukrainës. Ata po marrin paratë e tyre mbrapsht”, tha Trump, ndërsa Macron ndërhyri:
“Jo, në fakt, për të qenë i sinqertë, ne kemi paguar. Ne kemi paguar 60% të përpjekjes totale. Ishte si SHBA: hua, garanci, grante”, tha presidenti ukrainas.
Më tej, Macron i përshkroi evropianët si një “forcë sigurie” në Ukrainë, ndërsa për amerikanët, tha se kanë vepruar në solidaritet.
Trump tha gjithashtu se është gati të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky së shpejti për të finalizuar një marrëveshje që do t’i lejonte SHBA-së akses në të ardhurat minerale të Ukrainës, një zhvillim që Macron e përshëndeti.
Top Channel