Analiza e VOA: Ishulli Guam, porta e azilkërkuesve kinezë drejt Amerikës

17/02/2025 17:17

Politikat e Presidentit Donald Trump për imigracionin janë përqendruar kryesisht ndaj imigrantëve që futen në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit me Meksikën, me disa prej tyre që kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm nga Amerika e Jugut.

Siç njoftojnë gazetarët e Zërit të Amerikës, Yu Yao dhe Jiu Dao, emigrantët kinezë po shfrytëzojnë rrugët e rrezikshme detare të Paqësorit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Peter Huang ka jetuar në Guam që kur u largua nga Kina në vitin 2019. Ai udhëtoi me aeroplan nga Hong Kongu për në Saipan, kryeqyteti i Ishujve të Marianës Veriorë. Më pas ai shkoi me një gomone në ishullin Guam. Këto ishuj dhe Guami janë territore të Shteteve të Bashkuara dhe ndodhen në perëndim të Oqeanit Paqësor.

“Përballë ndodhet Guami. Mali duket i çuditshëm, si një mur”, thotë Peter Huang.

Saipani ka qenë ndalesa e parë për azilkërkuesit kinezë si zoti Huang, sepse i lejoi ata të qëndronin pa vizë për 14 ditë. Por nuk pranon azilkërkues. Ishulli Guam, rreth 214 kilometra në jugperëndim, i pranon azilkërkuesit.

Këta azilkërkues shqetësohen se jeta e tyre do të ndikohet nga politikat e rrepta për imigracionin të nënshkrua nga Presidenti Donald Trump menjëherë pasi mori pushtetin. Zoti Huang rrezikoi jetën për të shkuar në Guam.

“Nuk kam parë kurrë më parë valë të tilla sa një mal, që ngrihen dhe bien pa pushim.”

Ai thotë se familja e tij u bë objektiv i policisë pas përfshirjes së tij në protestat e Hong Kongut kundër një propozimi për ekstradimin në Kinë në vitin 2019. Pasi gruaja e braktisi ai vendosi të shkonte në Saipan.

“Gruaja më tha se për shkakun tim, ajo dhe fëmija ynë do të cenoheshin”.

Edhe kinezë të tjerë kanë marrë rrugën e rrezikshme detare drejt Guamit. Sipas autoriteteve të ishullit, rreth 40 individë mbërritën në brigjet e ishullit vitin e kaluar.

“Deri tani, të gjithë të ardhurit janë shtetas kinezë”, thotë Franklin Gutirrez me agjencinë e doganave dhe karantinës në Guam.

Emigranti kinez, Liu Yun, e provoi dy herë udhëtimin në det të hapur para se të zbarkonte në Guam.

“Jemi në një gomone duke kaluar Paqësorin për të shkuar në territorin amerikan, ku shpresojmë për një fillim të ri”, thotë ai ndërsa filmonte udhëtimin.

Ai thotë se u largua nga Kina pasi depërtoi përtej kufizimeve të internetit të vendosura nga Pekini. Ajo që pa i ndryshoi pikëpamjet e tij për botën.

“U ekspozova ndaj gjërave që nuk do të kisha mundur t’i shihja kurrë në internet në Kinë, si protestën e Tiananmenit apo shtypjen e lëvizjes Falun Gong, kryesisht kampet e përqendrimit në Xinjang. Këto më tmerruan”.

Liu dhe Huang duhet të presin për të marrë përgjigjet e aplikimit për azil, thotë guvernatorja e Guamit, Lourdes Leon Guerrero.

“Një nga sfidat këtu është se nuk kemi gjykatës për imigracionin. Mënyra e vetme është ardhja e gjykatësve këtu ose trajtimi i çështjeve në rrugë virtuale. Ka shumë çështje që presin”.

Administrata e Presidentit Trump e ka ndaluar procesin e kërkimit të azilit në kufirin jugor amerikan. Për momentin, imigrantët Huang dhe Liu nuk e dinë se si do të preken nga politikat e reja të Uashingtonit.

“E mbështes qasjen e Presidentit Trump, sepse nuk mund të abuzohet ligji për azilin”, thotë Peter Huang, azilkërkues kinez.

Ai thotë se vetëm në këtë mënyrë do të përfitojnë ata që vërtet kanë nevojë për azil./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA