![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/cb066c76-159b-40bd-a38f-3c94546108d0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, e ftuar këtë mbrëmje në Top Story, ka treguar detaje në lidhje me arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK.
Hoxha tregon se në momentin që agjentët e BKH kanë mbërritur në ambientet e Bashkisë, Veliaj ka qenë në mbledhje me bashkëpunëtorët e tij, dhe pasi ka përfunduar i është komunikuar akuza dhe është njohur me dosjen.
“Erion Veliaj, në momentin që BKH mbërritën në bashki, ai gjendjen në një mbledhje të ngushtë më bashkëpunëtorët e tij, në zyrën e tij. Agjentët e BKH kanë pritur deri sa ka përfunduar mbledhja dhe menjëherë kanë biseduar me të dhe i kanë vendosur në disponim dosjen”, deklaroi gazetarja.
Ndërkohë ajo shtoi se dy zyrtarë të bashkisë kanë pasur një reagim ndaj agjentëve duke kërkuar shpjegime, por Veliaj ka ndërhyrë duke kërkuar që të bëjnë detyrën.
“Ka pasur një lloj reagimi nga dy zyrtarë të bashkisë, që kanë kërkuar shpjegime pse janë hetuesit aty, dhe ka ndërhyrë Veliaj. Iu është përgjigjur dhe u ka kërkuar ‘lërini të bëjnë detyrën’”, thotë Hoxha.
“Më pas është futur në makinën e tij, brenda së cilës kanë qenë efektivët, dhe më pas nuk e kanë çuar në ambienteve të drejtorisë së policisë së Tiranës, sepse ishte shteruar komunikimi i masës në zyrën e tij, dhe u shoqërua me një herë drejt bllokut të sigurisë”, tha ajo.
Top Channel