Teksa numërimi mbrapsht ka nisur, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tregoi shanset që partia e tij ka për të fituar zgjedhjet.
Në një intervistë me autoren e “Top Story” Grida Duma, ai u ndal dhe te koalicioni i mundshëm me Partinë Vetëvendosja, diçka që ai nuk e sheh të mundur.
“E para punës, zgjedhjet aktualisht nuk janë kryer. Numri i të pavendosurve është më i madh se distanca që kemi ne dhe Vetëvendosja mes njëri-tjetrit. Rezultati final do të vendoset nga ajo. Ju siguroj që Partia Demokratike është e gatshme deri në fund dhe rruga që kemi ecur me kandidatin tonë për kryeministër, do të jetë e mjaftueshme për të marrë besimin qytetar dhe popullor për t’i fituar këto zgjedhje, sepse aktualisht numri i të pavendosurve është 12-15%. Sipas sondazheve të besueshme, përtej këtyre që ndonjëherë përdoren dhe pak për propagandë…
Ne jemi në garë për vendin e parë dhe për të krijuar qeverinë e ardhshme. Unë asnjëherë nuk mund të them që raporti me ndërkombëtarët duhet të jetë pika kryesore e vendimmarrjes për të zgjedhur. Në fakt, kjo s’ka qenë fare pjesë e fushatës tonë.
Kërkesa jonë për qytetarët është që të vendosin nëse po jetojnë më mirë sot sesa përpara katër vitesh. Është e thjeshtë, nëse qytetarët jetojnë më mirë, nëse familjet e Kosovës kanë mirëqenie më të madhe sot se përpara se të vinte Kurti në pushtet, ata do ta votojnë prapë.
Ne kemi një kandidat për kryeministër që është më i mirë se kandidatët e tjerë, është më i përgatitur, ka përvojë më shumë, ka integritet, ka profesionalizëm, është familjarë që i kupton hallet e qytetarëve të Kosovës, është i dëshmuar. Është një kandidat që fillon punën që në ditën e parë.
E dyta, kemi një ekip më të mirë. Jo vetëm lista e kandidatëve për deputetë që është e jashtëzakonshme, por edhe njerëzit.
Personalitetet që janë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës këtë vit, janë figura të reja. 55% e deputetëve garojnë për herë të parë, e dyta janë njerëz që kanë përvojë diplomatike, njerëz që kanë jetuar në Diasporë dhe duan të kontribuojnë në Kosovë. Në listën tonë nuk ka asnjë njeri që ka pasur telashe ligjore.
Koalicion me Vetëvendosjen? Unë nuk i vendos vijën e kuqe askujt, siç i vendosën vija të kuqe shqiptarëve. Nuk i vendos vija të kuqe votuesve të Vetëvendosjes. Nuk ka mundësi që PDK-ja të ketë koalicion me Vetëvendosjen. Ne nuk e shohim jetën njësoj, nuk e shohim të ardhmen njësoj, nuk e shohim rolin e shtetit njësoj.
Nuk jemi në garë për pushtet, për hir të pushtetit”, tha Krasniqi.
Top Channel