Aleatët e SHBA presin që administrata e Presidentit Donald Trump të paraqesë një plan për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani javën e ardhshme.
Plani thuhet se do t’u paraqitet aleatëve amerikanë nga përfaqësuesi special i Trump për çështjen e Ukrainës, Keith Kellogg.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje se çfarë do të përfshijë saktësisht ky propozim i Trump për paqe.
Por siç vërejnë analistët, raportet dhe komentet e Kellogg dhe të tjerëve në javët e fundit kanë dhënë të dhëna për një plan për të ndjekur atë që aleatët e Trump e kanë quajtur “paqe përmes forcës”.
Masat e mundshme përfshijnë një pezullim të konfliktit dhe praninë e trupave ruse në territorin e pushtuar, ndërkohë që Ukrainës i jepet garanci për të siguruar që Moska të mos sulmojë përsëri.
Kellogg ka thënë se SHBA-të do të donin që zgjedhjet në Ukrainë të mbaheshin pas një armëpushimi, ndërsa Trump ka sugjeruar që aksesi në mineralet e rralla në këmbim të mbështetjes së SHBA-së mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje.
Gjenerali konfirmoi se do marrë pjesë në takimin e Mynihut. “Unë do të takohem me aleatët e Amerikës që janë të gatshëm të punojnë me ne”, shkroi Kellogg në një postim në X.
Megjithatë, vetë Donald Trump nuk do të jetë i pranishëm në Konferencën e Mynihut, pasi u njoftua se do të zëvendësohet nga J.D.Vance, zëvendëspresidenti amerikan.
“Pritet zëvëndëspresidenti i SHBA-së në Mynih”, tha zëdhënësi i qeverisë Stephen Hebestreit i cili shtoi se mund të ketë një takim mes Vance dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz nëse përputhen oraret.
Prezenca e J.D.Vance pritet me interes të veçantë duke pasur parasysh qëndrimet e deritanishme të administratës së re amerikane për çështjet e sigurisë dhe NATO-s. Nënpresidenti mori pjesë edhe në Konferencën e Mynihut vitin e kaluar, si senator republikan.
Top Channel