Europiani U-21 “Shqipëri-Serbi 2027”, Duka dhe sekretari i Federatës Serbe në një ‘mendje’: Katalizator për të thyer barrierat

04/02/2025 16:39

Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027.

Sa i përket vendimit të UEFA-s, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha: “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.

Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”.

Në po këtë mendje ishte dhe sekretari i Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, i cili e vlerësoi këtë vendim të UEFA-s si shumë domethënës.

“Ky do të jetë turneu më i madh i futbollit në historinë e Serbisë, një ngjarje që do t’i tregojë botës se çfarë është e mundur kur njerëzit fokusohen në një qëllim të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit. Si i tillë, ai përfaqëson një trampolinë për përmirësimin e stadiumeve dhe ambienteve të tjera të futbollit në të gjithë vendin, me mbështetjen e UEFA-s. Do të krijohet një trashëgimi e qëndrueshme që do të frymëzojë brezin e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve të futbollit në të dy vendet. Në fund të fundit, ne kemi ambiciet tona dhe besojmë shumë në gjeneratën e lojtarëve tanë të rinj që do të udhëhiqen nga trajneri Aleksandar Kolarov në këtë garë madhore. Besojmë gjithashtu se ky organizim do të jetë një prelud për të pritur ndeshjen finale të një kompeticioni evropian për klube, ndeshje që do të luhej në Stadiumin e ri Kombëtar”, u shpreh Radujko.

Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA