Përdorimi në masë i aplikacionit TikTok është një diskutim që ka përfshirë shumë shtete. Shqipëria është një prej tyre, që ka marrë edhe vendimin për mbylljen e këtij aplikacioni për një vit.
Në dhjetor u njoftua nga vetë kryeministri Rama që procesi për mbylljen e TikTok në Shqipëri kërkon një periudhë kohore nga 6-8 javë. Ky njoftim u pasua edhe me një vendim qeverie.
Sakaq në kryeministri është ngritur një grup pune me institucionet nën varësi, që po merret me çështjen e TikTok dhe po dialogohet me vetë kompaninë për të adresuar shqetësimet ne lidhje me aplikacionin.
Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi tregon se Shqipëria ka trafikun më të madh të përdoruesve të TikTok në Ballkan, ku gjenerohen mbi 56 milionë shikime videosh në ditë.
“Mund te mbyllet. Është e vështirë sepse duhen paisje të ndryshme që duhet të kontrollojnë të gjithë trafikun e internetit qe kalon në Shqipëri, nëpërmjet ISP-ve. Duhet thënë që në Shqipëri ne kemi gati 250 ofrues shërbimi interneti dhe duhet të jetë një sfidë shumë e madhe për ti njoftuar të gjithë këta, për ti bllokuar dhe për ti futur në një sistem monitorimi për trafikun. Ndoshta kjo do të jetë një kosto shumë e madhe edhe për qeverinë.”
Por nga ana tjetër ekzistojnë edhe mënyra që mund ta vështirësojnë zbatimin e këtij vendimi, që si rrjedhojë u japin mundësi qytetarëve që të kenë akses në aplikacionin TikTok.
“Nëse do bëhej një bllokim thjeshtë i domainit të Tiktok ajo do ishte shumë e thjeshtë më pas për qytetarët për ta aksesuar. VPN është një nga gjerat më te thjeshta. Më pas mund te shkohet tek e-sim. Duhet ta themi që momentalisht e-simet janë trendi në Shqipëri që të rinjtë po përdorin shumë e-sim duke përdor IPIN e një kompanie ndërkombëtare pa pasur edhe VPN. Pastaj gjëja më e thjeshtë për opinionin tim, mjafton të ndërrosh AppStore nga Shqipëria ta kalosh ne Itali, Greqi, Francë e te tjerë me radhë dhe mund ta bësh.”
Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok në vendin tonë erdhi pas shqetësimeve për ndikimin negativ veçanërisht tek të rinjtë. Një nga shqetësimet e parashtruara nga qeveria shqiptare tek përfaqësuesit e TikTok është mungesa e filtrit për gjuhën shqipe në aplikacion, çka lejon që të përdoren fjalë të ashpra, fyese e bullizuese.
Top Channel