Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ishte i ftuar në “Top Story” në Top Channel, ku foli për virozat dhe vaksinimin.
Alimehmeti shpjegoi pse gripi po sjell komplikacione, duke shtuar se “kemi turp të bëjmë testet e shpejta në farmaci”. Po ashtu ai tha se në tetor neglizhohen vaksinimet për shkak se nuk ka grip.
“Çdo stinë dimri ka një tufë me viruse respiratorë që xhirojnë. Popullata sa më shumë shtohet, aq më shumë është probabiliteti që të transmetohen viruset. Sa të ketë jetë do ketë viruse. Të gjitha këto viruse japin një lloj imunitete të pjesshëm. 10-15% e popullatës çdo vit infektohet me grip.
“Hë se grip është”, e neglizhojmë. Kur bëhet fjalë për infektime, ne kalojmë një cikël panik-neglizhim. Nga na tjetër nuk thuhet mjaftueshëm sa pasoja të rënda sjell gripi.
Në tetor duhet të bëjmë fushatën e vaksinimit. Te ne marrja e vaksinës është tejet e ulët. Në tetor jemi në fushatën e neglizhimit se nuk ka grip në tetor. Tani jemi në panik dhe ‘o Zot çfarë do bëjmë’. Neglizhimi në tetor është thuajse gjithmonë.
Një gjë tjetër që mund të bëjmë? Mund të kishim testet e gripit dhe covidit në farmaci. Nuk ka në Shqipëri, kemi turp të bëjmë teste të shpejta në farmaci.
Dy javë paralajmërime janë goxha. Është një lloj kambane që të lajmëron se diçka po vjen. Do e kemi sërish ne. Do vijë vjeshta, po aq vaksina do blihen.
Fushata për vaksinat duhet të jetë si ajo elektorale. Këto lloj virusesh gjejnë personat e brishtë. Mosha të vjetra, të reja, njerëz të sëmurë dhe këta kanë mundësi më të mëdha për të pasur ndërlikime, vështirësi më shumë.
Parimi kush është? Është mbështetja ndaj institucioneve përkatëse. Parandalimi është gjëja më e mirë, më e lirë.”, u shpreh ai.
Top Channel