“Odisea” thyen rekordin e Universal/ Filmi i Christopher Nolan bëhet më i suksesshmi në historinë e studios së njohur

14/09/2026 16:39

“Odisea” e Christopher Nolan ka vendosur një rekord të ri në arkat botërore, duke u bërë filmi me fitimet më të larta në historinë e Universal.

Në fundjavën e nëntë të shfaqjes në kinema, filmi tejkaloi rekordin prej 1.67 miliardë dollarësh, të vendosur nga “Jurassic World” në vitin 2015.

Sipas “The Wrap”, kjo është vetëm një nga një sërë rekordesh të vendosura nga filmi i Nolan. “Odisea” ka shënuar gjithashtu hapjen më të madhe të karrierës së regjisorit, duke tejkaluar “The Dark Knight Rises”, ndërsa është bërë edhe filmi me të ardhurat më të larta në historinë e IMAX.

Filmi ka kaluar gjithashtu shifrën e 1 miliard dollarëve në të ardhura nga biletaria jashtë Amerikës së Veriut. Sipas të dhënave të raportuara, “Odisea” është filmi i parë jo-vazhdim apo ribërje që arrin këtë nivel që prej “Avatar”, në fillim të vitit 2010.

“Odisea” shënon vijimin e bashkëpunimit të suksesshëm të Christopher Nolan me Universal, i cili nisi pesë vite më parë, pasi regjisori i dha fund bashkëpunimit dhjetëvjeçar me Warner Bros dhe nënshkroi me studion Comcast për realizimin e “Oppenheimer”.

“Ajo që Chris dhe Emma Thomas kanë krijuar do të mbetet në histori si një nga filmat më ambiciozë dhe më të realizuar në historinë e kinemasë. Një ngjarje që prek një brez të tërë dhe forcon interesin e audiencës për vetë kinemanë”, deklaroi Donna Langley, presidente e NBCUniversal Entertainment.

Në qendër të filmit është Matt Damon, i cili interpreton Odiseun. Filmi u shfaq premierë në kinematë greke më 16 korrik dhe ndjek linjën kryesore të epikës homerike, duke rrëfyer bredhjet dhjetëvjeçare të heroit dhe përpjekjet e tij për t’u rikthyer në Itakë.

Së bashku me “Spider-Man: Brand New Day” të Sony/Marvel, “Odisea” ka dominuar gjysmën e dytë të sezonit veror, duke u renditur e dyta mes filmave me fitimet më të larta të kësaj vere.

Top Channel