“Palestina e lirë”, deklarata që nxiti largimin e Macklemore nga turneu i Ed Sheeran, artistët e tjerë e bojkotojnë

16/09/2026 09:14

Katër artistë dhe grupi muzikor që do të shoqëronin Ed Sheeran në datat e ardhshme të turneut të tij janë tërhequr, pas largimit të Macklemore nga koncertet.

Tërheqjet erdhën pasi Macklemore u hoq nga turneu për shkak të deklaratave të tij në mbështetje të Palestinës gjatë një koncerti në New Jersey.

I pari që njoftoi largimin ishte Finneas, i cili ishte planifikuar të hapte gjashtë koncertet e Sheeran në Amerikën e Jugut në nëntor. Ai deklaroi se mbështet Palestinën dhe popullin palestinez. Më pas u tërhoq edhe këngëtari irlandez Aaron Rowe, i cili ishte planifikuar të performonte në 10 datat e mbetura të turneut në Amerikën e Veriut. Edhe grupi irlandez Beoga njoftoi largimin nga turneu amerikan, ndërsa më vonë të njëjtin vendim mori edhe grupi danez Lukas Graham.

Tërheqjet erdhën disa orë pasi Ed Sheeran reagoi publikisht për largimin e Macklemore. Sheeran tha se disa pronarë stadiumesh kishin refuzuar të organizonin koncertet nëse Macklemore do të vazhdonte të ishte pjesë e turneut. Sipas tij, pas përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, vendimi i organizatorëve dhe pronarëve të ambienteve ishte përfundimtar.

Këngëtari deklaroi gjithashtu se vendimi për largimin e Macklemore nga turneu ishte i tij, duke argumentuar se nuk donte të zhgënjente fansat apo të linte pa punë ekipin dhe artistët e tjerë të përfshirë në turne.

Ndërkohë, Robert Kraft, pronar i New England Patriots dhe i stadiumit Gillette, tha se kundërshtimi ndaj Macklemore lidhej me deklaratat e fundit të artistit, por edhe me atë që e përshkroi si një histori më të gjerë të retorikës dhe imazheve antisemite. Kraft tha se do të mirëpriste një diskutim me reperin.

Top Channel