Pasi zbuluam abuzimet me transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe gjurmueshmërinë e tyre, tashmë do të fokusohemi tek abuzimet konkrete që janë konstatuar.
Inside Story ka arritur të sigurojë listën e bizneseve të monitoruara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Ky institucion ka monitoruar 31 subjekte ndër vite. 16 prej tyre kanë marrë masa administrative. Ka dhe prej atyre kompanive që janë gjobitur në vazhdimësi për të njëjtat shkelje ligjore, pasi nuk kanë arritur të përmbushin detyrimet konform ligjit.
“Po ta fillojmë që nga dhënia e lejeve dhe licencave për ndërtimin e stacioneve të transferimit, që aty fillon puna. Një stacion transferimi duhet të jetë i pajisur me gjithë tutelën e vet. Duke menaxhuar si duhet procesin e punës deri te ujërat. Sepse ne kemi ujërat nëntokësorë shumë të ndotura. Kush i kontaminoi? Një kompani që merret me naftë, një tjetër me vaj ulliri. Ku derdhen këto llumra? Të gjitha industritë, këtu hidhen në tokë. Shteti duhet të vëri dorë” u shpreh Selim Bregu, sipërmarrës.
Ajo që bën përshtypje është fakti se vetë kompanitë shtetërore janë konstatuar me abuzime. Në vitin 2018, kompania naftë nxjerrëse Albpetrol është gjobitur për operimin në Patos dhe Kuçovë përkatësisht me 1 milionë dhe 500 mijë lekë të reja.
Të dyja këto gjoba janë vendosur për probleme në lidhje me lejen mjedisore të kompanive. Kurumi në Elbasan po ashtu është gjobitur në vitin 2016. Masa administrative ka qenë me 1.5 milionë lekë. Pas inspektimit të realizuar në vitin 2024 që lidhej me skandalin e transportit nga shoqëria “Sokolaj”, u mor masa e pezullimit të aktivitetit.
Pezullimi i aktivitetit të transferimit të mbetjeve të rrezikshme deri në momentin e lidhjes së kontratës/ve përkatëse me një subjekt të licencuar për trajtimin/asgjësimin përfundimtar të tyre. Kurumi ishte i detyruar nga AKM që jo vetëm të paguante gjobën, por dhe të merrte masa për menaxhimin dhe asgjësimin e mbetjeve, e sidomos atyre të rrezikshme.
Duhet kujtuar se ndaj këtij subjekti janë 2 hetime paralele në Prokurorinë e Elbasanit. Për zjarrin e vitit 2023 që shpërndau tym toksik në zonë të banuar dhe për disa padi të ndryshme që lidhen me aktivitetin e përditshëm ndër vite.
Një tjetër kompani e rëndësishme që ka qenë në bllokun e paralizimeve institucionale për mungesën e menaxhimit të mbetjeve ka qenë dhe Albchrome.
Dy filialet e kësaj kompanie, në Burrel dhe në Elbasan janë gjobitur me 1 milionë lekë për problemet me lejet mjedisore. Nga monitorimi i bërë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, kjo kompani ka marrë masat administrative në të njëjtën kohë, pra në vitin 2015.Në fakt, Albchrome nuk është gjobitur vetëm nga ky institucion, pasi dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i ka vendosur masën administrative 2 000 000 lekë më 6 tetor 2021.
Arsyeja e gjobitjes ka qenë se gjatë inspektimit në ambientet e uzinës së Ferrokromit Albchrome është konstatuar se shkrirja e substancave minerare realizohej pa sistemin funksional pluhur kapës. Kjo bie ndesh me kushtet dhe parimet e lejes mjedisore.
Top Channel