Inside Story/ “Grumbulloi pushtet, ambicia e tij për të nesërmen”, ngjitja dhe rrëzimi i Erion Veliajt

30/09/2026 21:20

Pamjet e Erion Veliajt duke dalë nga zyra e tij, i shoqëruar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, brenda pak minutash pushtuan ekranet dhe hapësirën online.

Për një pjesë të publikut, ishte imazhi i një kryebashkiaku që po përballej me drejtësinë; për të tjerë, ishte kthesa më e fortë në historinë e një politikani që për më shumë se dy dekada kaloi nga protestat e rrugës, në parlament, qeveri dhe drejtimin e kryeqytetit.

Një histori që dikush ka dashur t’i veshë ato imazhe, duke u siguruar për prezencën e një kamere në dukje rastësore… Pamje të cilat kërkonin të paketonin shumë më tepër se imazhin e një politikani të rëndësishëm…

“Me futjen e tij në Partinë Socialiste ai absolutisht u bë nr. 2 edhe konkretisht në PS, pas Edi Ramës, gjë që pastaj u konkretizua me vajtjen e tij si kryetar bashkie. Në të gjitha sondazhet që kam kryer gjatë kohës, para se të bëheshin zgjedhjet për Bashkinë, dhe gjatë kohës që ai administronte Bashkinë, kuotat e Veliajt gjithmonë kanë qenë të larta brenda Tiranës, dhe vetëm Edi Rama ia kalonte”, u shpreh analisti, Eduart Zaloshnja.

“Ishte një student i sapo mbaruar në atë periudhë, flasim diku nga viti 2002-2003, kjo ka qenë, le të themi, starti i jetës publike të Erion Velisë, në Shqipëri. Natyrisht që ai ishte një personazh interesant, ishte nga ato personazhe që në atë hapësirë të jetës publike dhe politike që kishte Shqipëria në atë kohë”, u shpreh analisti, Alban Dudushi.

Në vitin 2003, Erion Veliaj u shfaq në skenën publike përmes lëvizjes “MJAFT!”, një organizatë që u kthye në simbol të aktivizmit qytetar.

Lëvizja organizoi protesta dhe fushata ndaj problemeve sociale e politike, me një gjuhë shumë më të drejtpërdrejtë se ajo e partive tradicionale.

Në atë periudhë, Veliaj nuk ishte politikan, dhe pikërisht kjo ishte pjesë e forcës së tij publike. Ai kritikonte qeverinë dhe partitë, organizonte të rinjtë dhe ndërtonte profilin e një aktivisti të shoqërisë civile, përballë një sistemi politik që e konsideronte përgjegjës për problemet e vendit.

Por çdo lëvizje që kërkon të ndryshojë politikën përballet me të njëjtën pyetje: a mjafton presioni nga jashtë, apo duhet hyrë brenda sistemit për ta ndryshuar atë?

Në fund të viteve 2000, Veliaj zgjodhi përgjigjen e dytë. Nga drejtimi i “MJAFT” kaloi te krijimi i “G99”, një forcë e qendrës së majtë që synonte të përfaqësonte një brez të ri. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Veliaj u shfaq si kandidat që kërkonte të merrte pjesë në vendimmarrje.

Rezultati nuk e çoi Veliajn në parlament, por nuk i dha fund rrugës së tij politike. Ajo betejë pasoi afrimin e tij të butë në Partinë Socialiste, ku shumë prej krerëve të saj e shihnin me skepticizëm. Këto dyshime lidheshin me betejat që dikur Veliaj kishte bërë për rrëzimin e Fatos Nanos nga pushteti.

“Ishte një moment që unë besoj se erdhi natyrshëm, duke pasur parasysh edhe partneritetin që ai ka pasur edhe në periudhën e aktivizmit të tij me MJAFT-in me kryetarin e bashkisë së asaj kohe, një tjetër personazh i cili gjithashtu ka qenë një njeri me instinkte politike dhe mediatike, siç është Edi Rama”, u shpreh Alban Dudushi, analist.

“Gjatë atyre viteve kur Veliaj ishte kryetar i lëvizjes MJAFT dhe që atëherë Veliaj, kuotat e tij ishin të krahasueshme me të Ramës, Nanos, Berishës”, u shpreh Eduart Zaloshnja, analist.

Në vitin 2011, Erion Veliaj iu bashkua strukturave drejtuese të Partisë Socialiste si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin.

Për Partinë Socialiste, afrimi me Veliajn sillte një figurë me profil të fortë publik dhe lidhje me shoqërinë civile. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastrës.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet mori një nga postet më të rëndësishme të karrierës: Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Një ministri që u reformua me një buxhet dhe kompetenca të shumëfishuara, aq sa u lexua si lëvizje për fuqizimin e Veliajt.

Në këtë periudhë u bë e dukshme edhe një tjetër karakteristikë e tij: aftësia për të ndërtuar një profil politik përtej postit që mbante.

“Po të shikojmë ambicien e zotit Veliaj, e shfaqur edhe në media, por edhe në PR-in e tij, që u bë gati qesharak dhe i bezdisshëm për qytetarët për shkak të intensitetit, kanë qenë të gjitha me qëllim për të nesërmen. Dhe kjo ambicie e tij për të nesërmen e tij në Partinë Socialiste, kjo ambicie, ra ndesh me interesin e kreut aktual, kryeministrit Edi Rama”, u shpreh Arion Sulo, analist.

Top Channel