Inside Story/ Si u zëvendësuan njerëzit e Veliajt me ata të Ballukut në bashki… Pse kryebashkiaku i Tiranës nxori “kthetrat” dhe reagoi…?!
Arrestimi i Erion Veliajt tronditi nga themelet politikën shqiptare. Prangosja e tij ishte nga ato lloj zhvillimesh që mund të rivizatonte arkitekturën e peshave të rënda në mazhorancë e më gjerë.
Ky zhvillim sillte një situatë të paprecedentë edhe për bashkinë kryesore në vend. Punonjësit e saj u mblodhën në një format të panjohur më herët. Zyrtarisht u prezantua si takim pune, por përmbajtja solli një tjetër perceptim.
Ndërsa Veliaj përballej me seancën e verifikimit të masës së sigurisë, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën pranë Gjykatës së Posaçme, me pankarta e thirrje në mbështetje të kryebashkiakut…
Protesta para SPAK-ut zgjati vetëm ditën e vlerësimit të masës së sigurisë… Mjaftuan disa mesazhe politike që fotografia të ndryshonte krejtësisht. Në fillim, shumë njerëz të afërt me Veliajn u rreshtuan krah tij publikisht. Deputeti socialist Etjen Xhafaj reagoi menjëherë pas arrestimit me një mesazh të hapur mbështetjeje.
Edhe zëra të tjerë brenda Partisë Socialiste folën për prezumimin e pafajësisë dhe për masën e arrestit, por kjo lloj mbështetjeje zgjati shumë pak… Për këtë, duket se u kujdes personalisht Edi Rama përmes një mesazhi në WhatsApp të socialistëve…
‘Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme’
Që nga ai moment, protestat anti-SPAK u ndalën, edhe pse momentet e para të arrestimit të Veliajt u konsideruan si reagime spontane të militantëve…
Edhe Etjen Xhafaj më pas u detyrua të bënte një mea culpa, teksa në një intervistë deklaroi se ishte keqkuptuar…
Në politikë, ndonjëherë tërheqja flet më shumë se deklarata. Ajo që deri atëherë dukej si mbështetje e një familjeje politike, shumë shpejt u kthye në një heshtje të organizuar.
“Ekziston edhe një teori tjetër që është e kritikëve të PS-së dhe jo vetëm të Velisë dhe Ramës, që në fakt Rama është ai që e ka çuar Velinë pas hekurave, duke pretenduar një kontroll ndaj SPAK-ut, që personalisht po e parathëm që nuk e besoj këtë teori”, u shpreh analisti, Alban Dudushi.
“Flasim për një politikë dhe një qeverisje jo në binarë, jo në shina normale, sipas rregullave të lojës, sipas rregullave demokratike, sipas zbatimit të ligjit, këtu flasim për luftë territoresh të ngjashme me organizata të jashtëligjshme, kriminale do thosha unë. Fuqia ty të vjen nga politika, nga posti është një gjë, por të rekrutosh me mjete të jashtëligjshme është territor tjetër dhe është fenomen tjetër”, u shpreh Arion Sulo, analist.
Kryebashkiaku mbeti vetëm përballë SPAK-ut në fatin e tij penal. Dhe kjo heshtje vazhdon sot e kësaj dite, edhe pse qëndrimi zyrtar i mazhorancës e konsideron të pajustifikuar paraburgimin e Erion Veliajt.
Inside Story kontaktoi disa prej figurave socialiste që konsideroheshin njerëzit më të afërt të Erion Veliajt, mes tyre ministrin e Drejtësisë, Toni Gogo, i cili është njeriu i raporteve me sistemin, por asnjë përgjigje…
Në heshtje e ka kaluar edhe miku i tij i vjetër, Fatmir Xhafaj, njeriu që në zgjedhjet e vitit 2021, pasi u nxor në listën e hapur, pati mbështetjen e pakufizuar të Veliajt për të shkuar në Parlament.
Po ashtu, këtij interesi për të komentuar situatën e Veliajt nuk iu përgjigj as ish-krahu i djathtë i tij, Arbian Mazniku, i cili u promovua dikur si numri 2 i bashkisë e më tej pjesë e qeverisë. Pa harruar rrugën e tyre në shoqërinë civile. Ne i jemi drejtuar me një kërkesë për intervistë edhe kreut të grupit socialist, Taulant Balla, socialistëve të vjetër Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi, anëtarëve të këshillit bashkiak Megi Fino dhe Alfred Muharremi, por asnjë përgjigje…
Asnjë koment as nga emra të rinj protagonistë publikë si Sara Mila, Briseida Çakërri apo Aulona Bylykbashi, të cilat konsiderohen se janë rishtare në selinë rozë…
Ndoshta, heshtja është një mesazh i qartë i lënies së Veliajt në fatin e vet…
Top Channel