SPAK dhe BKH aksion në Elbasan, arrestohet administratori i inceneratorit të qytetit, Leli Kaja

05/10/2026 18:08

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë kryer sot një aksion në qytetin e Elbasanit, në saj të të cilit është arrestuar administratori i inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja.

Kaja është i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas njoftimit të SPAK ai ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Njoftimi i SPAK:

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Top Channel