Bojkoti i avokatëve, rrëzohet nisma e Blushit për ndryshime ligjore/ Haxhia: Nuk mund të godasësh avokatinë pse nuk funksionon KLGJ-ja, duhet të menaxhojnë sistemin, jo të mbyllin dyert

24/11/2026 14:44

Me 7 vota kundër, asnjë pro dhe asnjë abstenim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik rrëzoi në parim nismën ligjore të deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që synonte ndalimin e bojkotit të avokatëve kur ai pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore.

Projektligji për disa shtesa në ligjin nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, shkaktoi debate mes deputetëve dhe kryetarit të Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, lidhur me pavarësinë e profesionit dhe pasojat e bojkotit të seancave gjyqësore.

Gjatë prezantimit të nismës, Blushi deklaroi se konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës së Avokatisë solli shtyrjen e gati 700 seancave gjyqësore, duke cenuar të drejtat e personave nën hetim dhe të paraburgosurve.

“Ky projektligj synon të vendosë një standard ligjor që harmonizon pavarësinë e avokatisë me detyrimin për të mos penguar funksionimin e procesit gjyqësor. Qëllimi është që të parandalojë që një konflikt i zgjidhur de jure me një vendim gjykate të mund të përsëritet dhe të prodhojë pasoja shumë të rënda për personat që presin drejtësi”, tha Blushi.

Deputeti i Partisë së Lirisë solli në vëmendje edhe rastin e Ilir Metës, i cili, siç theksoi ai, ndodhet prej më shumë se dy vitesh në paraburgim, duke deklaruar se afatet e paraburgimit të tij janë pezulluar për shkak të një konflikti që ai as e ka prodhuar dhe as e ka nxitur.

“Kjo nismë nuk dobëson Dhomën e Avokatisë, as pavarësinë e profesionit të avokatisë. Ky projektligj parashikon ndaljen e bojkotit kur ky pengon zhvillimin e proceseve gjyqësore, sepse Dhoma e Avokatisë nuk mund të funksionojë më si një sindikatë”, u shpreh Blushi.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, kundërshtoi nismën, duke argumentuar se duhet të analizohen shkaqet që çuan në bojkotin e seancave gjyqësore dhe jo vetëm pasojat e tij. Sipas Haxhisë, kërkesat për zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut me GJKKO-në, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Presidentin e Republikës ishin injoruar.

“Është shumë e rëndësishme që të gjykohet mbi shkakun dhe jo mbi pasojën. GJKKO përgatiti një rregullore prej 160 nenesh, mes të cilave kishte sigurinë dhe rendin në ambientet e saj. Ne, me t’u njohur, kërkuam takim, se ishin probleme që mund të zgjidheshin me mirëkuptim. Nuk jemi pranuar, jemi injoruar në kërkimet tona.

Me të hyrë në fuqi, iu drejtuam KLGJ-së dhe nuk denjuan fare që të na prisnin. Iu drejtova Presidentit të Republikës, megjithatë as aty nuk na u gjend një derë e hapur për të diskutuar.

Ne nuk realizojmë dot misionin që na ka ngarkuar ligji, për të realizuar një mbrojtje efektive për ata që na kanë besuar jetën dhe pasurinë. Nuk jemi dakord me nismën e zotit Blushi”, deklaroi Haxhia.

Ai argumentoi se legjislacioni aktual përmban instrumentet e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë së avokatisë, duke sjellë si shembull ndërprerjen e bojkotit menjëherë pas vendimit të Gjykatës Administrative.

“Në rastin tonë konkret, çështja është zgjidhur. Ne e kemi instrumentin kontrollues, është gjykata. U çua çështja në Gjykatën Administrative, mori masë provizore pezullimi dhe ne, menjëherë me t’u vënë në dijeni, bojkoti u ndërpre. Ja ku është një mjet që kontrollon veprimtarinë. Pra, avokatia nuk mund të bëjë çfarë të dojë. Ne kemi Ministrinë e Drejtësisë, që është mbikëqyrësi për ligjin e avokatisë, dhe Ministrinë e Financave.  Atë merak që ka zoti Blushi, ne jemi në linjë, por zoti Blushi është kapur nga pasoja dhe jo nga shkaku. Ne jemi të kontrollueshëm, ka instrument kontrolli që është gjykata”, tha Haxhia.

Kreu i Dhomës së Avokatisë drejtoi kritika edhe ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor për menaxhimin e situatës, duke argumentuar se mosfunksionimi i këtij institucioni nuk duhet të shërbejë si shkak për ndërhyrje në ligjin për avokatinë.

“Në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar kërkesa jonë dhe e mediave. Nuk mund të godasësh avokatinë pse nuk funksionon KLGJ-ja, kur ata janë qeveria e gjyqësorit dhe duhet të menaxhojnë gjithë sistemin e jo të mbyllin dyert”, deklaroi Haxhia.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Iris Luarasi, pranoi se kohëzgjatja e paraburgimit në Shqipëri përbën një problem, duke iu referuar edhe konstatimeve të Këshillit të Evropës. Megjithatë, ajo vuri në pikëpyetje nëse nisma e Blushit do t’i jepte zgjidhje kësaj situate, pa cenuar pavarësinë e profesionit të avokatit.

“Të gjithë jemi dakord dhe është një konstatim edhe i Këshillit të Evropës, ku u dhanë shifrat e të paraburgosurve në Shqipëri dhe u tha që Shqipëria e ka pesë herë më të lartë marzhin e të paraburgosurve. Ditët që ata rrinë janë shumë herë më të larta se mesatarja evropiane. Nuk po flas për zotin Meta, se ajo është akoma më e ekzagjeruar, por mesatarja e paraburgimit në Shqipëri është 280 ditë, ndërkohë që Evropa e ka 150-160 ditë.

Këto nuk diskutohen dhe është pranuar edhe nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Është një situatë që duhet ndryshuar. Por a është nisma juaj që e rregullon këtë, kur vjen puna për pavarësinë e profesionit të avokatëve? Mendoj që janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën”, tha Luarasi.

Deputeti i opozitës, Arjan Ndoja, kërkoi një diskutim më të gjerë institucional, duke propozuar zhvillimin e një mbledhjeje të përbashkët me komisionet e tjera parlamentare, ku të thirreshin edhe përfaqësues të KLGJ-së, GJKKO-së dhe SPAK-ut. Sipas tij, diskutimet ndërmjet institucioneve mund të nxirrnin në pah nevojën për ndryshime edhe në Kodin e Procedurës Penale, përpara ndërhyrjes në ligjin për avokatinë.

Deputetja e opozitës, Greta Bardeli propozoi shtyrjen e votimit të projektligjit dhe vijimin e diskutimeve në komisionet e tjera parlamentare, duke mbështetur propozimin e Ndojës.

Kërkesa për shtyrjen nuk mori miratimin e komisionit, ndërsa në përfundim të diskutimeve, kryetarja Iris Luarasi hodhi në votim projektligjin në parim, i cili u rrëzua me 7 vota kundër, pa asnjë votë pro apo abstenim.

 

Top Channel