Inside Story/ Përplasja brenda llojit, deklarata e fortë: Hetimi i Veliajt u nxit nga klani Balluku, Nesti Angoni “u gatua” në…
Arrestimi i Erion Veliajt ishte një nga ato zhvillime që, përpos pasojave penale, trondiste dhe ndryshonte balancat politike. Kjo u duk qartë edhe në betejat nën zë që nuk mbetën vetëm në sallat e gjykatave.
Pas prangosjes së Veliajt, kompetencat administrative iu deleguan nënkryetares Anuela Ristani. Por, edhe kjo zgjidhje nuk do të ishte pa përplasje.
Në mars të vitit 2025, nga qelia, Erion Veliaj firmosi shkarkimin e Anuela Ristanit dhe delegimin e drejtimit të Bashkisë te Sara Goxhaj.
Por ajo firmë hapi një përplasje që nuk zhvillohej më në dyert e SPAK-ut. Ajo u zhvendos brenda Bashkisë së Tiranës, por, mbi të gjitha, në majat e pushtetit socialist.
Vetëm pak orë pas urdhrit të Veliajt, kryeministri Edi Rama mblodhi në orët e vona drejtuesit e Bashkisë së Tiranës. Flitet se mbledhja u shoqërua me tone të larta. Ky takim u lexua si ndërhyrja e parë e drejtpërdrejtë politike në krizën e drejtimit të Bashkisë. Në praktikë, vendimi i dalë nga qelia u bllokua dhe procedura për zëvendësimin e Ristanit nuk u zbatua.
‘Momentin që e pati mundësinë, dhe kjo është zgjedhja e tij, por tani, arsyet pse mund të jenë nga më të ndryshme. Ajo që unë lexoj nga e gjithë kjo që ka ndodhur në rastin Veliaj është një shembull shumë tregues për atë se ne, si shoqëri dhe veçanërisht klasa politike, ata që marrin mandatin për të na qeverisur, të parën në të gjithë veprimtarinë e tyre kanë interesin e tyre politik dhe janë shumë pak të ndjeshëm ndaj kërkesave për atë që quhet shteti ligjor’, u shpreh Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ.
“Skandal ka qenë deri dje edhe në media edhe opinionin publik që dilnin shkresa që nuk protokolloheshin, ose më saktë dilnin vendimmarrje të zotit Veliaj që nuk gjenin zbatim”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.
Për disa muaj, Veliaj nuk reagoi publikisht. Heshti. Nga qelia, dukej sikur pranonte faktin që drejtimi i Bashkisë po administrohej nga njerëzit që kishin marrë bekimin politik të kryeministrit Rama.
Vetë Veliaj e quajti episodin një keqkuptim të krijuar nga mungesa e informacionit dhe izolimi i tij. Ristani u rikthye në detyrë, ndërsa urdhri për Sara Goxhajn u tërhoq.
Megjithatë, historia nuk mbaroi aty. Kundërpërgjigjja e Veliajt erdhi në fund të gushtit 2026, kohë kur dosja Balluku po merrte përmasa më të mëdha korrupsioni dhe qetësia në selinë rozë kishte mbaruar.
Ai tërhoqi delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin, nisi të largojë drejtues të vendosur gjatë mungesës së tij dhe riktheu njerëzit që i konsideronte të besuar. Ishte sinjali i parë publik se Veliaj kishte vendosur të kundërpërgjigjej ndaj familjes së tij politike.
“Para shkarkimit të Anuela Ristanit, të paktën kemi pasur një kryetare të deleguar, nga firma e z. Veliaj, dhe mirë keq ishte ajo përgjegjëse për punët, ishte ajo që firmoste. Tani problemi është se nuk kemi as kryetare të deleguar, për administrimin e punëve të zakonshme jemi pa firmë. Tirana është e marrë peng”, u shpreh Arion Sulo, analist.
Shkarkimi i Alban Dokushit nga detyra e sekretarit të përgjithshëm përbën një sagë më vete që tregon luftën e brendshme në selinë rozë, përpos betejës institucionale.
Gjykata vendosi rikthimin e tij në detyrë, por vendimi nuk u zbatua menjëherë. Dokushi u pengua për disa muaj që të rikthehej në post, derisa Velkiaj vendosi të ngrejë krye…
“Në asnjë rrethanë nuk e ka shkarkuar zonja Ristani si kryetare e Bashkisë zotin Dokushi. E ka shkarkuar si nënkryetare e deleguar. Në qoftë se z. Dokushi e ka fituar një vendim gjyqësor që shkarkimi është i paligjshëm, do të thotë që akti administrativ i nxjerrë nga kryetari i Bashkisë, i përfaqësuar nga nënkryetari i Bashkisë, ka qenë i paligjshëm”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.
Ajo që ngriti pikëpyetjet e një lufte politike ishte edhe se si ndryshoi arkitektura e drejtorëve në Bashki. Mes emrave që morën poste të rëndësishme ishte Blendi Sulaj, i emëruar nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Në të njëjtën periudhë, në strukturat më të rëndësishme të administratës u vendosën edhe Erion Çaka në Drejtorinë Juridike, Aseteve dhe Licencimit, Daniel Demiri në krye të Kabinetit dhe Berta Piro në Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit Financiar. Të katër këta emra janë përmendur si të lidhur politikisht me linjën e Belinda Ballukut. Këtu, nuk duhet harruar as emri i Eldi Hoxhës, një personazh i hetuar më herët për të tjera dosje, por kjo nuk e pengoi të bëhej sekretar i përgjithshëm…
“Kishim veprimet e Ramës që pranoi shkarkimin e Anuela Ristanit, të cilën e kishte vendosur vetë, pranoi shkarkimin e të gjithë funksionarëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës që ishin vendosur pas shkarkimit të Alban Dokushit si sekretar i përgjithshëm dhe si refuzimit të Veliajt për të deleguar kryetarin e mëparshëm. Dhe kemi prononcimin e kthimit të ministrave, deklaratën që thotë që është kompetencë e z.Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Arion Sulo, analist.
Kështu, ndërsa Veliaj ndodhej në qeli, në Bashkinë që ai kishte drejtuar për më shumë se një dekadë po ndërtohej gradualisht një tjetër ekuilibër njerëzish dhe influence kundër vullnetit të tij. Në fund të gushtit 2026, Erion Veliaj tërhoqi delegimin e kompetencave te Anuela Ristani.
Disa ditë më vonë, dha dorëheqjen Sekretari i Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe në këtë funksion u rikthye Alban Dokushi. Këto lëvizje u lexuan si rivendosje në vend e vullnetit të Veliajt për rikthimin e njerëzve të tij…
“Të gjithë kompetencat kanë qenë, janë dhe do të jenë deri në momentin që zoti Veliaj do të jetë kryetar bashkie, janë të zotit Veliaj. Sot unë nuk e kuptoj të gjithë këtë retorikë, që zoti Veliaj rimerr kompetencat, aty i ka pasur, mjafton vetëm një firmë larg”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.
“Situata është paradoksale, jemi përpara një kryetari Bashkie të zgjedhur i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme me akuza të rënda, jepet masë sigurimi nga GJKKO duke i dhënë masën më të rëndë, arrest me burg, dhe GJ thotë që kryetari i Bashkisë, aktualisht në këtë gjendje ku kryetari është i paraburgosur, dhe Bashkia nuk ka drejtues, prapë thotë kryetari i komanduar është z. Veliaj”, u shpreh avokati, Redi Ramaj.
Pas largimit të nënkryetarit Blendi Sulaj, lista e ndryshimeve po bëhej gjithnjë e më e gjerë: njerëzit që ishin afruar me strukturën e re të Bashkisë kundër vullnetit të Veliajt po largoheshin njëri pas tjetrit. Një luftë që nuk zhvillohej në podiume dhe as në konferenca shtypi. Zhvillohej me urdhra, shkarkime, emërime dhe firma.
Top Channel