Masat ajrore të paqëndrueshme dhe të ftohta që përfshinë vendin tonë gjatë festave të Nëntorit do vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, duke sjellë reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, dhe borë në lartësinë mbi 600 metra. Dimri vjen pra me të gjithë fenomenet e tij.
“Këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme me mbizotërim të motit të vranët dhe me reshje shiu. Ditën e shtunë reshjet e shiu do të jenë të herëpasherëshme me intensitet të ulët deri në mesditë në pjesën më të madhe të vendit dhe prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formë shtrëngatash. Reshjet do të vijojnë të jenë të herëpasherëshme në formën e shtrëngatave afatshkurta lokale deri në orët e vona të mbrëmjes së ditës së diel, kryesisht të përqëndruara në pjesën lindore të vendit”, u shpreh sinoptikania Eneida Doçi.
Në Alpe dhe relievet malore në veri-verilindje-juglindje të vendit parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në lartësinë mbi 600-800metër.
Era do të fryjë nga kuadrat i veriut me shpejtësi mesatare 3-12m/s, ndërsa në lugina, në relievet e larta malore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës arrin shpejtësi 13-22m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4ballë. Prezencë e mjegullës së dendur lokale/mjegullinë në orët e mëngjesit/mbrëmjes dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.
Top Channel