Tirana bëhet gati për shkollën/ 120 policë bashkiakë pranë institucioneve, Astiri mbetet ende pa shkollë

11/09/2026 15:22

Më 14 shtator nis viti i ri shkollor dhe shkollat e kryeqytetit janë në përgatitjet e fundit për të mirëpritur nxënësit.

Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për të garantuar fillimin e rregullt dhe të sigurt të procesit mësimor në institucionet arsimore, ku ndër to përfshihet mirëmbajtja e godinave, pastrimi, verifikimi i sinjalistikës rrugore, si dhe transporti.

Në Tiranë ka 146 shkolla publike, prej të cilave 7 janë të reja që hapin dyert këtë vit shkollor. Por zona e Astirit vijon sërish pa një shkollë për fëmijët. Institucioni arsimor vijon të jetë ende në ndërtim dhe nuk arriti të përfundojë këtë fillim shtatori, por është planifikuar që të jetë gati brenda sezonit shkollor 2026-2027.

Sakaq, përmes një urdhri të posaçëm, bashkia ka ngarkuar Policinë Bashkiake të kryeqytetit që të angazhojë punonjësit e saj për mbarëvajtjen e ditës së parë të shkollës. Në total do të ketë 120 policë bashkiakë.

“Çdo punonjës i Policisë Bashkiake ka marrë detyrimin që të marrë takime periodike me oficerin e sigurisë në shkolla dhe detyrimi tjetër është për sa i përket sigurisë së këtyre fëmijëve para se të hyjnë në ambientet e shkollës, që do të thotë, çdo punonjës i Policisë Bashkiake, kryesisht i qarkullimit rrugor, ka marrë detyrimin për shoqërimin e fëmijëve në vijat e bardha, për t’i dhënë ndihmë të kalimit nga një korsi në tjetrën dhe procesi të fillojë normalisht dhe mos të ketë problematika”, tha drejtoresha e Policisë Bashkiake në Tiranë, Elona Lalaj.

Një prej elementëve që do të mbahet nën kontroll në vijim është siguria ushqimore, ndërkohë që që prej fillimit të procesit mësimor e deri në përfundim të tij, do të ketë kontrolle periodike.

“Një ndër detyrimet që ka Policia Bashkiake lidhet me sigurinë ushqimore, kemi marrë masat dhe të gjitha shërbimet kanë marrë detyrimet për largimin e shitësve ambulantë, të cilët mund të qarkullojnë apo shesin rreth perimetrit të shkollës. Shërbimi rreth perimetrit të shkollës do të jetë i pandërprerë, do të ketë kontrolle periodike”, tha Lalaj.

Policia Bashkiake apelon prindërit që do të shoqërojnë fëmijët në shkollë apo edhe drejtuesit e mjeteve që kanë autorizim për transport të veçantë të fëmijëve, që të respektojnë sinjalistikën rrugore, vendet e parkimit dhe mos të bëhen pengesë për qarkullimin e trafikut apo hyrjen e nxënësve në shkolla.

Top Channel