“Task-forcat duhet të jenë efektive dhe funksionale”, kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm me direktiva të reja, zbardhen ‘piketat’

11/09/2026 17:30

Inspektorati i Përgjithshëm organizoi një tryezë dialogu me përfaqësues të shoqatave, dhomave të tregtisë dhe organizatave përfaqësuese të biznesit, me qëllim forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në kuadër të sistemit të ri të inspektimit.

Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili prezantoi qasjen e re të institucionit ndaj veprimtarisë inspektuese, të mbështetur në partneritetin me biznesin, transparencën, proporcionalitetin dhe respektimin e ligjit.

Gjatë tryezës u theksua nevoja për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi ndërmjet strukturave inspektuese dhe komunitetit të biznesit, duke e konsideruar biznesin partner dhe jo vetëm subjekt kontrolli. Inspektimi duhet të shërbejë si instrument për parandalimin e shkeljeve, përmirësimin e standardeve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte zbatimi i inspektimeve të bazuara në analizën e riskut. Kontrollet duhet të orientohen drejt subjekteve dhe sektorëve me nivel më të lartë risku, duke shmangur inspektimet e panevojshme dhe barrën e pajustifikuar administrative ndaj bizneseve që respektojnë kërkesat ligjore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkërendimit të veprimtarisë inspektuese ndërmjet institucioneve, me qëllim shmangien e kontrolleve të përsëritura ndaj të njëjtit subjekt dhe për të njëjtin objekt. U diskutua gjithashtu nevoja për rishikimin e veprimtarisë së shoqërive private të licencuara për inspektim, forcimin e standardeve dhe garantimin që në treg të operojnë vetëm subjekte serioze, profesionale dhe të përgjegjshme.

Përfaqësuesit e biznesit ngritën shqetësime lidhur me kontrollet e përsëritura dhe tarifat fikse që aplikohen në fillim të çdo viti. Në këtë kuadër, u kërkua që task-forcat e krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave të jenë efektive dhe funksionale, me kritere të qarta për organizimin, veprimtarinë dhe përfshirjen e shoqërive të licencuara.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte kalimi nga një kulturë e orientuar kryesisht drejt gjobave në një qasje parandaluese dhe këshilluese, aty ku niveli i riskut dhe kuadri ligjor e lejojnë. Bizneseve duhet t’u jepet mundësia të korrigjojnë problematikat e konstatuara brenda afateve të arsyeshme. Në këtë kuadër, u propozua edhe vlerësimi i mundësisë së një periudhe tranzitore deri në vitin 2027, në varësi të sektorit, nivelit të riskut dhe natyrës së problematikës.

U nënvizua se parimi i këshillimit duhet të zbatohet në raport me nivelin real të riskut. Në sektorët me risk të lartë, veçanërisht në industrinë ushqimore dhe në veprimtaritë që lidhen me produkte potencialisht të dëmshme, parandalimi dhe kontrolli efektiv duhet të kenë përparësi ndaj zbatimit automatik të masës së paralajmërimit.

Në takim u diskutua gjithashtu për:

  • forcimin e përgatitjes juridike të inspektorëve dhe ngritjen e mekanizmave juridikë që ndihmojnë në vlerësimin e çështjeve përpara marrjes së masave ndaj subjekteve;
  • zgjerimin e programeve të trajnimit për inspektorët dhe bashkëpunimin e parashikuar me universitetet shqiptare;
  • identifikimin e qartë të inspektorit, përcaktimin e objektit të kontrollit dhe përmirësimin e njoftimit paraprak, në përputhje me kuadrin ligjor;
  • forcimin e kontrolleve mjedisore ndaj subjekteve që shkarkojnë ujëra të ndotura në lumenj, dete dhe burime të tjera ujore;
  • marrjen e masave më të forta parandaluese ndaj subjekteve që importojnë ose tregtojnë produkte që paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë;
  • vlerësimin e mundësive për mbështetjen financiare të bizneseve përmes instrumenteve të kreditimit të butë dhe normave të favorshme të interesit;
  • forcimin e kontrollit ndaj njësive të akomodimit të promovuara përmes platformave si Airbnb dhe ndaj strukturave të tjera të palicencuara, të cilat krijojnë konkurrencë të pandershme ndaj operatorëve të licencuar.

Në përfundim, Inspektorati i Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e biznesit shprehën vullnetin për vijimin e një dialogu të strukturuar dhe të qëndrueshëm. Synimi i përbashkët është ndërtimi i një sistemi inspektimi të bazuar në risk, të bashkërenduar ndërmjet institucioneve, transparent dhe proporcional, i cili mbron interesin publik, garanton konkurrencën e ndershme dhe mbështet bizneset në respektimin e ligjit.

 

Top Channel