“Manaxheria e qelqtë” drama komplekse e Tennnessee Williams një nga veprat më të komplikuara skenike erdhi për herë të parë në teatrin e Gjirokastrës duke shënuar edhe startin e një sage të re aktorësh dhe regjisorësh.
Regjisori i shfaqjes Erjon Hinaj sheh tek kjo vepër mesazhe aktuale dhe sfida të personalitetit të çdo shoqërie. Ai rrëfeu se riorganizimi i teatrit nuk ka synuar nxjerrjen në pension të aktorëve me eksperiencë por huazimin e përvojave të tyre për të ngritur modele unike shfaqjesh në të ardhmen.
“Menaxheria e qelqtë” përcjell jetën familjare të një familjeje që ngjan shumë me atë të autorit të veprës. Amanda dhe dy fëmijët e saj të rritur Tom dhe Laura janë braktisur nga babai dhe Tom e mban familjen me pagën e tij si punëtor në fabrikën lokale të këpucëve.
‘Për mua e gjithë pjesa është një sfidë për shkak se “Menaxheria e qelqtë” është një nga pjesët më të rëndësishme të Tennessee Williams. Është nga baballarët e dramaturgjisë amerikane e sigurisht nuk është kollaj që të trajtosh një autor të tillë por e rëndësishme është që u dha në Gjirokastër. Gjëja më e rëndësishme që mund të ndodhë me këtë teatër është që çdo gjë të trashëgohet dhe të mund të çohet më tutje. Është drama më e madhe e këtij kombi që të ndërtosh ditën dhe të prishësh natën, si legjenda e Rozafës kështu që uroj shumë që gjithë kjo traditë e teatrit të Gjirokastrës të mund të trashëgohet e zhvillohet më tutje’-u shpreh regjisori Erjon Hinaj.
Aktorët në rolet kryesore janë të gjithë pjesë e tetarit të Gjirokastrës përgjatë viteve të fundit. Ata kanë sjellë edhe qëndrimin e tyre emocional gjatë shfaqjes ndërsa e shohin të ardhmen e projekteve teatrore ndërthurur me traditën e deritanishme të teatrit profesionist.
“Unë jam e bindur se jo vetëm unë por të gjithë e kanë kryer misionin e tyre me shumë sukses dhe jam e bindur që të gjithë e kanë shijuar“-u shpreh aktorja Ledja Çeli.
“Për mua është e disata premierë në këtë teatër dhe kam luajtur me mjeshtrit që ka pasur ky teatër. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, kam mësuar prej tyre dhe të them të drejtën kam ndjerë një farë mungese në këtë premierë sepse më mungonin aktorët ikonë të këtij teatri por mund të them me krenari që tek kjo shfaqje ne aktorët e rinj jemi munduar të ecim në rrugën e tyre dhe jam shumë krenar për këtë“-u shpreh aktori Aleksandër Kondi.
“Jam shumë e lumtur të them që arrita ta shpërfaqja këtë rol dhe punën time në një sallë plot.”-u shpreh aktorja Asiana Koka.
“Jam aktor i ri i këtij teatri. Provova emocionet e këtij teatri, emocione të mbrekullueshme dhe një publik i mbrekullueshëm. Salla ishte plot“-u shpreh aktori Kosta Kreci.
Ideja kryesore e “Menaxheria e qelqtë” apo “Koleksioni i kafshëve prej qelqi” është një familje prej tre anëtarësh që lufton jo vetëm financiarisht, por edhe kulturalisht, për të vazhduar jetën në një botë në ndryshim të përhershëm. Nëna ka ngecur në të kaluarën, vajza është shumë e ndrojtur për t’u shoqëruar dhe djali dëshiron të jetë diku tjetër. Ata trajtojnë ëndrrat dhe dëshirat e parealizuara, arratisjen, përgjegjësinë familjare dhe rolet gjinore gjatë gjithë shfaqjes.
Top Channel