Victor Orban tha dje se tranzicioni i gjelbër duhet të avancojë “bashkë me përdorimin e naftës e gazit apo energjisë bërthamore”, shkruan rrjeti shtetëror turk Anadolu.
Kryeministri hungarez shtonte se nuk duhet të jenë fermerët ata që të paguajnë më rëndë ‘luftën kundër ndryshimeve klimatike’, duke theksuar se nuk mund të sakrifikohet bujqësia dhe ushqimi për procesin e tranzicionit të gjelbër.
Në fjalën e tij në samitin COP29 në kryeqytetin azer Baku, Orban theksoi nevojën e ruajtjes së përdorimit të gazit natyral, naftës e energjisë bërthamore, duke shtuar se Hungaria është i vetmi vend që ka zmadhuar prodhimin ekonomik duke reduktuar dhe emetimet ne atmosferë.
“Çmimi për ndryshimet klimatike nuk duhet të paguhet nga fermerët, pasi ata janë shtylla kurrizore e ekonomisë dhe shoqërisë sonë”, shtoi ai.
“Politikat e klimës duhet të bëhen me studim të kujdesshëm dhe jo me ideologji alarmizmi apo paniku. Secili duhet të përshtasë opinionin e tij me interesin e qytetarëve evropianë”, shtoi Orban, shkruan Anadolu.
Prej vitesh fermerët në të gjithë Evropën janë ngritur në protestat kundër udhëzimeve të BE për reduktim të prodhimit e të kafshëve të tyre me qëllim reduktimet e emetimeve të karbonit dhe si rezultat i presionit shumë kanë hequr dorë nga zanati i tyre.
Top Channel