“Pacienti i Doktor Frojdit”/ Premierë në teatrin “Bylis” në Fier, me regji të Besnik Bishës

01/11/2024 16:14

Teatri “Bylis” në Fier mirëpriti premierën “Pacienti i Doktor Frojdit”, një komedi e zezë e autorit kroat Miro Gavran, realizuar nën mbikëqyrjen e Bashkisë Fier.

Me regji nga Besnik Bisha dhe me një kast aktorësh të njohur, përfshirë Gaz Paja, Myzafer Xifla dhe Anila Basha, shfaqja sjell një takim imagjinar mes Adolf Hitlerit dhe të fejuarës së tij me psikoanalistin e shquar Sigmund Freud.

Gjatë seancës terapeutike, Hitleri i shfaq Frojd-it frustrimet e tij, të cilat më vonë do të përçojnë tmerrin e Luftës së Dytë Botërore.

Sipas regjisorit Besnik Bisha, “Pacienti i doktor Frojdit” mbart një mesazh aktual për publikun, duke reflektuar mbi rëndësinë e kujdesit që duhet të tregojmë sot në përzgjedhjen e liderëve politikë e ekonomikë.

“Hitleri, që vrau miliona njerëz, e mishëron atë anë të errët, ndërsa Frojdi përfaqëson përpjekjen për të kuptuar jetën dhe për të zgjeruar mundësitë e saj pozitive”, shprehet Bisha, duke e cilësuar veprën si një përballje të shekullit midis dy figurave ekstreme të historisë.

Gazment Paja, një nga aktorët kryesorë, vlerësoi emocionet që i solli rikthimi në skenën e Fierit, duke e cilësuar këtë premierë si një përvojë unike.

Kjo vepër është pjesë e projektit të Bashkisë Fier për vitin 2024, i cili synon të sjellë në skenën shqiptare produksione të shquara teatrore. Nga ky projekt, janë financuar gjithsej dhjetë shfaqje, përfshirë gjashtë rivënie dhe katër premiera, të gjitha prodhime vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA