Ceremoni përkujtimore në 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të 4 Dëshmorëve të Atdheut, ministri Hoxha: Kujtimi i tyre do të mbetet i gjallë në zemrat tona

07/08/2024 22:05

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit” dhe në 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në qytetin e Durrësit.

Në ceremoni morën pjesë zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, drejtues të pushtetit vendor, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe kolegë të të rënëve dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Në nderim të 4 të rënëve u përurua memoriali, vepër e skulptorit Ardian Pepa, realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Po ashtu, me propozim të Bashkisë së Durrësit, Këshilli Bashkiak ka vendosur emërtimin e kësaj rruge “Dëshmorët e Policisë”.

Ky akt përbën një kujtesë ndër breza për mundin, përkushtimin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie, që ka shërbyer dhe shërben në çdo skaj të vendit për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve.

Ceremonia e sotme nderoi kujtimin e të rënëve, por njëherazi ishte edhe vlerësim ndaj të gjithë atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndër vite dhanë jetën në përmbushje të misionit dhe detyrës në luftë kundër krimit.

“Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit, agjencive ligjzbatuese dhe qytetarë të vendit tonë, Sot, më 7 Gusht 2024, kujtojmë me dhimbje dhe nderim të thellë rënien e katër Dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit: Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari. Këta trima, të cilët humbën jetën 15 vite më parë, na kujtojnë me sakrificën e tyre të përhershme, se siguria e vendit tonë kërkon përkushtim dhe heroizëm të jashtëzakonshëm. Në emër të Ministrisë së Brendshme dhe gjithë shqiptarëve, shpreh mirënjohjen dhe respektin më të madh për këta heronj. Kujtimi i tyre do të mbetet i gjallë në zemrat tona dhe në historinë e Shqipërisë.

Falë sakrificës së tyre, ne vijojmë të gëzojmë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur dhe forcuar vlerat dhe idealet, për të cilat ata ranë.

I paharruar qoftë gjithmonë kujtimi i dëshmorëve të atdheut
Lavdi të përjetshme!

Me respekt dhe nderim”, tha Ervin Hoxha, Ministër i Brendshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA