Vapa e madhe, temperaturat mbi 40 gradë ndikojnë veçanërisht për keq tek personat me probleme të shëndetit mendor, të cilët në disa raste ose i ulin dozat e medikamenteve me iniciativën e vet, pa rekomandimin e mjekut, ose i ndërpresin fare ato kur shkojnë me pushime.
“Ata që nuk e kanë të domosdoshme daljen nga shtëpia në pikun e vapës, të zgjedhin orët e mëngjesit dhe të darkës, duke evituar harkun nga ora 10.00-18.00.
Këtë periudhë kam vënë re që janë shtuar çrregullimet e ankthit, por kemi edhe rëndim të situatave psikotike. Hasim shumë raste me çrregullime të gjumit, me zgjime të shpeshta natën, me ëndrra të frikshme, me ndjenjën e mbytjes në fyt, me episode depresive.
Kam hasur shumë raste me mendime negative apo mendime vetëvrasëse gjatë kësaj periudhe. I nxehti ndikon shumë në rënien e fuqisë dhe energjisë.
Në shumë raste na ka ndodhur që e kanë ndërprerë terapinë. Pasi kanë qenë me pushime, dhe kjo me vetëdije, për faktin që ne po shkojmë me pushime dhe mbase nuk do të na duhet mjekimi.
Marrja e mjekimeve dhe i nxehti sigurisht që ndikojnë në uljen e fuqisë dhe energjisë, në uljen e tensionit dhe prandaj ata duhet të këshillohen patjetër me profesionistët e shëndetit mendor.
Ndërprerja e mjekimit para kohe, që ne ndjekim sipas protokolleve do t’i rëndojë më shumë problemet e shëndetit mendor.
Nëse është trajtuar për 4 muaj dhe protokolli parashikon 6 muaj, ndërprerja para kohë të çon në fillim fare të mjekimit, pra kthehemi edhe njëherë aty ku e nisëm trajtimin.
Ndaj është shumë e rëndësishme ndjekja me rregull e terapisë deri në fund dhe këshillimi me mjekun”, tha Valentina Asabella, mjeke psikiatre.
Top Channel