Debati për akulloret e kontaminuara në 2021, reagon Autoriteti Kombëtar i Ushqimit: U bllokua dhe asgjësua e gjithë sasia e këtij produkti

17/07/2024 22:30

Pas debateve për importin e akulloreve që përmbanin oksid etileni, ka reaguar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Në njoftimin zyrtar, AKU deklaron se janë ndjekur procedurat dhe janë marrë masat e duhura në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AKU bën të ditur se më datë 30.07.2021 ora 11.49 PM nga sistemi RASFF informohet se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante substancën e paautorizuar “oksid etileni” në stabilizuesin “lygomme” të përdorur për prodhimin e akullores.

Me marrjen e njoftimit, AKU thotë se ka kryer verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe ka nisur inspektimin në operatorë të biznesit ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij.

“Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021). Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti”, thuhet në deklaratën e AKU.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA