Trump shfaqet me veshin e fashuar në Kongresin e Republikanëve! Përzgjedh Senatorin J.D.Vance si kandidatin republikan për postin e nënpresidentit

16/07/2024 09:30

Me veshin e fashuar, Donald Trump hyri triumfator në sallën e Kuvendit Kombëtar Republikan, ku njerëzit shpërthyen në brohorima e thirrje mosdorëzimi, si ato që ish presidenti përsëriste në momentet pas atentatit ndaj jetës së tij, me gjakun që i rridhte në fytyrë.

“Lutjet tona janë mburojë për të”, thanë mes emocionesh mbështetës të tij në sallë, disa prej të cilëve nuk i mbanin dot lotët.

“Mendoj se Donald Trump ka një vullnet të hekurt, të cilin unë nuk e kam parë tek askush tjetër. Ai është i jashtëzakonshëm. Mendoj se atë e mbrojnë lutjet dhe dashuria që kemi për të. Dhe duket mirë, duket i fortë.”- u shpreh Connie Davie, delegate nga Mississipi.

“Jam shumë i emocionuar, sepse është hera e parë që e takoj, hera e parë që e shoh nga afër. Fakti që ai është këtu vetëm dy ditë pasi u qëllua na tregon edhe një herë se përse ne të gjithë e mbështesim, sepse ai është një luftëtar.”- shprehet Austin Utley, delegat nga Teksasi.

Trumpi është duke shijuar momentin e tij politik. Dyshimet mbi kandidaturën e Joe Bidenit 81 vjecar kanë shkaktuar ndasi mes partisë demokratike, sidomos pas paraqitjes së tij të dobët ne debatin televiziv muajin e kaluar, ndërsa ekipi i republikanit festoi fitoret e fundit ligjore.

Në Konventë, ish-presidenti dëgjoi rreth një orë fjalime ndërsa ishte ulur ë krah të kandidatit të tij për zëvendëspresident të zyrtarizuar një ditë më parë, senatorit të Ohajos, JD Vance, një ish kritik i tij i kthyer në përkrahës të tërbuar. Trumpi vetë nuk mbajti një fjalim, por nganjëherë shfaqej i prekur nga turma, ndërsa ulte kokën në shenjë falenderimi.

Përzgjedhja e Senatorit James David Vance, autor i librit të suksesshëm “Hillbilly Elegy”, mund të rrisë shanset e pjesëmarrjes së mbështetësve të Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi kandidati për nënpresident gëzon shumë popullaritet tek baza republikane. Donald Trump u konfirmua të hënën zyrtarisht si kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ai nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të Bidenit, i cili mbrojti retorikën e tij kundër ish-presidentit në intervistën e parë që nga atentati kundër këtij të fundit, në fundjavë, edhe pse shtoi megjithatë se ka qenë “gabim” që ka thënë se është “koha për ta vënë Trumpin në qendër të objektivit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA