25 vite pas sulmit të 11 shtatorit/ Sekretet e rënies së Al-Qaeda-s, nga inteligjenca te përplasja me ISIS-in

10/09/2026 22:17

Al-Qaeda ka marrë fund. Organizata e themeluar dhe drejtuar nga Osama bin Laden, e cila 25 vite më parë sulmoi Shtetet e Bashkuara dhe vrau 2,977 persona në Qendrën Botërore të Tregtisë, Pentagon dhe në Pensilvani, nuk ekziston më në formën që kishte dikur.

Ky është përfundimi i një analize që argumenton se zyrtarët amerikanë duhet ta pranojnë publikisht fundin e organizatës së Bin Ladenit, në vend që të vazhdojnë të flasin për të sikur të jetë ende një strukturë e unifikuar globale.

Kjo nuk do të thotë se terrorizmi apo xhihadizmi janë zhdukur. Përkundrazi, grupe të rrezikshme vazhdojnë të veprojnë në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Edhe zhvillimet e reja gjeopolitike, përfshirë luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, mund të nxisin ndjenja antiamerikane dhe dhunë të re.

Por, ekspertëve organizata që planifikoi dhe realizoi sulmet e 11 shtatorit është shuar.

Lufta 25-vjeçare kundër Al-Qaeda

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, mijëra amerikanë iu bashkuan përpjekjeve ushtarake dhe të sigurisë për të goditur përgjegjësit. Luftërat e pas 11 shtatorit patën një kosto të jashtëzakonshme njerëzore.

Më shumë se 15 mijë ushtarakë dhe kontraktorë amerikanë humbën jetën në luftime, ndërsa rreth 1.8 milionë u përballën me pasoja të rënda shëndetësore. Nga viti 2012 deri në vitin 2021, numri i ushtarakëve aktivë dhe veteranëve që humbën jetën nga vetëvrasja ishte katër herë më i lartë se numri i atyre që vdiqën në luftime.

Edhe aleatët e SHBA-së, veçanërisht Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe, morën pjesë në operacionet ushtarake. Qindra ushtarë të tyre humbën jetën.

Sipas ekspertëve, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e humbën luftën në Afganistan, por arritën një objektiv tjetër: shkatërrimin e Al-Qaeda-s së Bin Ladenit.

Jo çdo grup xhihadist është Al-Qaeda

Kërcënimi nga grupet xhihadiste vazhdon. Organizata të armatosura veprojnë në Gadishullin Arabik, Bririn e Afrikës, Afrikën e Veriut, Sahel dhe Azinë Jugore.

Disa prej tyre kanë kryer sulme, kanë kontrolluar territore dhe madje kanë kërcënuar stabilitetin e qeverive në vende si Mali, Somalia dhe Jemeni. Në Afganistanin e qeverisur nga talebanët vazhdojnë të stërviten militantë të ndryshëm xhihadistë.

Megjithatë, analiza thekson se këto grupe nuk drejtohen më nga organizata qendrore që krijoi Bin Laden. Për këtë arsye, përdorimi i vazhdueshëm i termit “degë e Al-Qaeda-s” mund të krijojë një perceptim të ekzagjeruar për fuqinë dhe koordinimin e tyre.

Pas 2009-ës, operacionet globale u shuan

Historia e sulmeve tregon se Al-Qaeda qendrore kishte ndërtuar një seri operacionesh kundër objektivave amerikane përpara 11 shtatorit.

Mes tyre ishin sulmi i vitit 1993 ndaj World Trade Center, bombardimi i Khobar Towers në vitin 1996, sulmet ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998 dhe sulmi ndaj anijes USS Cole në vitin 2000.

Pas 2001-shit, përpjekjet e organizatës për të goditur territorin amerikan u bënë gjithnjë e më të dobëta. Përfshiheshin tentativa si vendosja e një bombe në këpucën e një pasagjeri në vitin 2001 dhe një komplot i dështuar për një sulm kamikaz në metronë e Nju Jorkut në vitin 2009.

Në vitet pas 9/11, Al-Qaeda shkaktoi viktima të shumta edhe në vende aleate të SHBA-së, me sulmet në Bali, Riad dhe Londër.

Por pas kulmit të parë të viteve 2000, pesha e terrorizmit xhihadist filloi të kalonte te organizata të tjera. Sipas analizës, pas vitit 2009, aktiviteti global i Al-Qaeda-s qendrore praktikisht u shua.

Vrasja e Bin Ladenit dobësoi organizatën

Një moment vendimtar ishte vrasja e Osama bin Ladenit në Abbottabad të Pakistanit, në maj 2011.

Forcat amerikane bastisën kompleksin ku fshihej lideri i Al-Qaeda-s dhe e vranë atë. Trupi i tij u varros në det, duke shmangur krijimin e një vendi simbolik ku mbështetësit e tij mund të mblidheshin.

Por edhe dokumentet e sekuestruara gjatë operacionit rezultuan të rëndësishme. Ato treguan se Bin Laden nuk kishte pasur prej kohësh kontrollin e drejtpërdrejtë mbi operacionet e organizatës.

Vdekja e tij nuk e zhduku menjëherë Al-Qaeda-n, por e goditi rëndë kohezionin e saj dhe aftësinë për t’u mobilizuar rreth figurës së liderit.

Lufta me dronë nuk e mposhti Al-Qaeda-n

Fushata amerikane me dronë, e nisur gjatë administratës së George W. Bush dhe e zgjeruar ndjeshëm gjatë presidencës Obama, goditi drejtues dhe militantë të Al-Qaeda-s në Afganistan, Pakistan, Somali dhe Jemen.

Operacionet dëmtuan strukturën e organizatës dhe eliminuan militantë të përfshirë në përgatitjen e sulmeve ndaj SHBA-së.

Por përdorimi i dronëve pati edhe pasoja të padëshiruara. Sipas analizës, sulmet amerikane u përdorën nga propagandistët xhihadistë si argument për rekrutimin e militantëve dhe nxitjen e ndjenjave antiamerikane.

Për këtë arsye, edhe pse dronët ishin të rëndësishëm në aspektin taktik, ata nuk ishin faktori kryesor që i dha fund Al-Qaeda-s.

Një rol më të rëndësishëm luajtën bashkëpunimi mes shërbimeve amerikane dhe atyre të vendeve aleate, lufta kundër financimit të terrorizmit, sistemet biometrike dhe shkëmbimi i informacionit inteligjent.

Al-Qaeda u dobësua edhe nga brenda

Një pjesë e rëndësishme e rënies së organizatës erdhi nga veprimet e vetë saj.

Sulmet që shkaktonin viktima mes civilëve myslimanë sollën reagime negative në komunitetet që Al-Qaeda pretendonte se përfaqësonte. Vetë Bin Laden e kuptonte këtë rrezik.

Mbështetja për të ra ndjeshëm në disa vende myslimane. Në Indonezi, për shembull, mbështetja për Bin Ladenin ra nga 59% në vitin 2003 në 26% në vitin 2011. Në Jordani, nga 56% në 13%, ndërsa në territoret palestineze nga 72% në 34%.

Në Pakistan, ku Bin Ladeni fshihej, mbështetja për të ra nga 46% në vitin 2003 në vetëm 18% në vitin 2010.

Kështu, një dekadë pas 11 shtatorit, ideja e Bin Ladenit për të krijuar një lëvizje që do të bashkonte myslimanët nën flamurin e tij kishte humbur ndjeshëm terren.

Përplasja me ISIS-in

Një tjetër goditje e rëndësishme erdhi nga ndarja me Shtetin Islamik, ISIS.

ISIS kishte nisur si degë e Al-Qaeda-s në Irak, por më pas u shkëput dhe u shndërrua në një rival të drejtpërdrejtë. Në vitin 2014, organizata pushtoi territore të mëdha në Irak dhe Siri dhe tërhoqi rreth 15 mijë luftëtarë të huaj nga 80 vende.

Ndryshe nga Al-Qaeda, e cila vepronte kryesisht përmes një rrjeti të decentralizuar, ISIS ndërtoi një strukturë territoriale dhe shpalli kalifatin e vet.

Por strategjia e ISIS-it rezultoi gjithashtu fatale. Përqendrimi i forcave në territore të caktuara e bëri organizatën një objektiv të lehtë për operacionet ushtarake. Ndërsa brutaliteti ekstrem i saj largoi pothuajse të gjithë kundërshtarët e mundshëm.

Deri në vitin 2019, një koalicion ndërkombëtar, së bashku me forcat irakiane, kurde dhe siriane, kishte rimarrë territoret e pushtuara nga ISIS dhe kishte shkatërruar kalifatin.

Por për Al-Qaeda-n dëmi tashmë ishte bërë. Organizata kishte humbur terren në Irak dhe një pjesë të bazës së saj të rekrutimit.

Vdekja e Zawahirit dhe fundi i strukturës qendrore

Në korrik 2022, gati një vit pas tërheqjes amerikane nga Afganistani, një sulm me dron amerikan vrau Ayman al-Zawahirin, pasuesin e Bin Ladenit në krye të Al-Qaeda-s.

Reagimi i vakët ndaj vdekjes së tij u pa si një tjetër tregues i dobësimit të organizatës qendrore.

Sot, emri që lidhet me drejtimin e Al-Qaeda-s është Said al-Adel, i cili besohet se ndodhet në Iran. Megjithatë, ai nuk e ka shpallur publikisht veten lider të organizatës dhe aftësia e tij për të vepruar është tepër e kufizuar.

Sipas ekspertëve, kjo ngre një pyetje themelore: nëse lideri i supozuar nuk mund të drejtojë një strukturë funksionale, atëherë çfarë ka mbetur realisht nga organizata?

“Al-Qaeda që sulmoi SHBA-në ka përfunduar”

Ekspertët arrijnë në përfundimin se Al-Qaeda mund të përpiqet një ditë të riorganizohet apo të shfrytëzojë zhvillime të reja ndërkombëtare për të kryer sulme.

Por organizata që Bin Ladeni ndërtoi dhe që organizoi sulmet e 11 shtatorit nuk ekziston më.

Shtetet e Bashkuara, herë e përshpejtuan dhe herë e ngadalësuan këtë proces. Në fund, megjithatë, Al-Qaeda dështoi.

Kjo nuk do të thotë se kërcënimi terrorist ka marrë fund. Grupet xhihadiste vazhdojnë të ekzistojnë dhe mund të përbëjnë një rrezik serioz.

Por, 25 vite pas 11 shtatorit, dallimi mes Al-Qaeda-s së Bin Ladenit dhe organizatave të tjera xhihadiste është thelbësor. Sipas ekspertëve, lufta ndaj terrorizmit duhet të fokusohet te kërcënimet reale të së tashmes, dhe jo te një organizatë që tashmë është shpërbërë.

 

Top Channel