Akuzat e Bardhit ndaj Olsi Ramës, kryeministri: SPAK-u e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehrin e tutorit lart në ballkon

28/06/2024 16:53

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ndaj vëllait të tij, Olsi Rama.

Rama: A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon.

Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston!

Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!

Reagimi i Ramës erdhi pas deklaratës në rrjete sociale të Bardhit.

“Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale.
Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të. Deklarimet e tij publike janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje: “Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”.

Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë.

Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm”, shkroi Bardhi në rrjete sociale.

Olsi Rama u paraqit sot në SPAK në lidhje me padinë që bëri dy muaj më parë ndaj deputetit demokrat Gazment Bardhi.

Në padi ai kërkoi nisjen e hetimeve ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi për shpifje.

Nga burimin zyrtare dhe jo zyrtare, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha tha se Olsi Rama u paraqit për mos fillimin e hetimeve në lidhje me denoncimin që ka depozituar ndaj Bardhit.

“E kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe prandaj do të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë çerek lidhje me Xibrakën. Unë i kam marrë automjetin një personi në atë kohë për të shkuar dhe për të bërë një udhëtim në Selanik dhe kaq.

Nuk kam asnjë lidhje fare me asnjë nga personat që përmendni dhe vetëm një person njoh, rastësisht. Do të vij në Prokurori kurdo që të jetë nevoja”, tha Olsi Rama pasi doli nga godina e SPAK.

Top Channel