Debat për SHISH-in në Kuvend/ Gjekmarkaj: Të bie policia, të bjerë Shërbimi Informativ, të ka rënë sistemi. Bido: Nuk ndodh më t’i shesësh naftë Serbisë

23/09/2026 14:07

Zhvillimet e fundit në lidhje me hetimet dhe masat e marra ndaj drejtuesit të Shërbimit Informativ të Shtetit kanë sjellë debat në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Deputeti i opozitës, Agron Gjekmarkaj, e cilësoi situatën si tronditëse dhe ngriti shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare dhe funksionimin e institucioneve të shtetit. Gjekmarkaj kërkoi gjithashtu nga deputetët socialistë që, sipas tij, të reflektojnë për situatën.

Agron Gjekmarkaj: “Ngjarja e djeshme sigurisht është një qershi mbi atë tortë të ndyrë të skandaleve që kanë mbërthyer Shqipërinë prej 14 vitesh. Dhe është vërtet tronditëse nga përmasat. Mendoj që një punonjës drejtësie, një prokuror i përgjegjshëm, sigurisht nuk do ta merrte një vendim të tillë pa pasur qartësinë, fushëpamjen dhe gjithë informacionin që çojnë drejt një vendimi të tillë për të arrestuar drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar, që është një nga eksponentët kryesorë të shtetit. Nuk e di cili prokuror apo grup prokurorësh e menaxhoi çështjen e AKSH-it, e cila ngjan si një oktapod që ka mbërthyer shtetin, por duhen mbështetur e përgëzuar për kurajon. Për më tepër që ne jemi edhe një shtet i NATO-s, ku në këtë rast siguria kombëtare mendoj që është cenuar. Këtu përballë kam zotin Bido, që në mos gaboj nga profesioni është historian, ose të paktën ka menaxhuar historinë nëpërmjet arkivit. Duket si shokuese, por praktikisht të bien zëvendëskryeministrat, ministra, çdo drejtor i rëndësishëm, të bjerë drejtori i përgjithshëm i Policisë, të bjerë SHIK-u, të ka rënë sistemi. Unë dëgjova dje një, në fund të fundit ka qenë shtetar dhe shtetar i vjetër, pavarësisht në diskordancat politike që mund të kenë Fatmir Xhafaj, dhe ndjeva gati dhimbje që shtrëngohej të thoshte këtë frazë, që kjo ndodh rëndom kudo. Askund, nuk është arrestuar ndonjëherë shefi i CIA-s, as shefi i SISMI-t apo i SISDE-s në Itali, as i shërbimit francez, as në Gjermani, nuk ndodh! Kështu që i ftoj kolegët socialistë të distancohen, të reflektojnë, se kjo është një orë e zezë për Shqipërinë. Pushteti juaj thjesht ka rënë, por ju s’e kuptoni sepse mendoni që është pushtet i diskredituar të jesh në duart e banditëve dhe ta mbash simbolikisht, ata mendimin e tyre.”

Nga ana tjetër, deputeti Ardit Bido u shpreh se zhvillimet duhet të diskutohen dhe se për vlerësimin e plotë të situatës duhet pritur përfundimi i hetimeve dhe vendimmarrja e gjykatave. Ai e lidhi diskutimin edhe me çështjen e sigurisë kombëtare dhe kërkoi që ajo të trajtohet përtej këndvështrimeve partiake.

Ardit Bido: “Bie dakord që zhvillimet e djeshme duhet të diskutohen, siç po ndodh në çdo komision, sepse kanë vëmendjen e opinionit publik. Nuk duhet mohuar kjo, ashtu siç nuk mohoj që dje kisha ndjesi zhgënjimi dhe habie, sepse institucionet e rëndësisë së veçantë siç është SHISH, vendosja në pikëpyetje e integritetit të tyre nënkupton risk për sigurinë kombëtare. Për këtë duhet të presim zhvillimin e hetimeve, vendimmarrjen e gjykatave për të kuptuar nëse është cenuar siguria kombëtare. Nëse do të rezultojë abuzim i detyrës, është cenim i sigurisë. Ku vjen momenti që dje u ndjeva mirë. Po i referohem cilësisë që më dha kolegu Gjekmarkaj. Më erdhi mirë që si qytetar dhe si deputet që edhe si Gjekmarkaj që nuk kemi 20 vila apo komplekse që janë të panatyrshme për njerëz që kanë bërë vetëm politikë, siç ndodh me kolegë të tjerë, kemi ardhur në një pikë që kur vendosesh në krye të një institucioni duhet të mendohesh mirë. Jemi në pikën që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të cenohet siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë së Millosheviçit dhe të mos hetohet kurrë. Që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të vriten patriotë që luftonin për pavarësinë e Kosovës nga Shërbimi Informativ dhe të hetohen pas shumë vitesh. Është problem i madh që siguria kombëtare të shihet nga optika partiake dhe të mos shihet nga dimensioni i vet real. Lajmi i mirë që mora dje është se ne jemi në atë pikë kur drejtësia është e pavarur në çdo rast dhe të gjitha ato fenomene, që fatkeqësisht i kemi pasur në 100 vite, kemi garancinë se do të përballen menjëherë me drejtësinë dhe nuk do të fshihen siç ka ndodhur në vitet 1992 dhe 1997, siç ka ndodhur më parë. E sfidoj Gjekmarkajn që si qytetar i Tiranës, të thotë me bindje të plotë, që kolegë që kanë qenë për shumë vite në politikë, të ketë kuptim pasuria e madhe që ata kanë vendosur. Të gjitha ato raste që ne i diskutonim nëpër kafe, sot përballen me drejtësinë dhe ky është lajm i mirë. Çdokush e di mirë tashmë se momenti i keq do të vijë. Shija e keqe që më la ngjarja e djeshme, e njëjtë me atë që ndodhte në 1994-ën në kufirin me Malin e Zi, në 1997 me urdhra të paligjshëm për bombardim të zonave të banuara, me dëshmi të ish-drejtuesve të SHISH. Duke marrë shkas edhe nga prania e deputetit Muçi në këtë komision, protesta që nisi si qytetare, po sulmon këmbadoras deputetët e Kuvendit, qytetarë të nderuar në radhë të parë, duke përdorur linçimin publik si mjet publik. Kjo është tentativë për të linçuar jetën publike të vendit. Kam kërkesë për kolegët që ta dënojnë këtë rast.”

Top Channel