500 pelegrinë të vdekur janë konfirmuar zyrtarisht në Mekë, ndonëse shifra e vërtetë është më shumë se dyfishi i viktimave të konfirmuara.
Rreth 600 egjiptianë vdiqën rrugës për në Mekë mes vapës ekstreme. Sipas shifrave të dala nga autoritetet, 14 malajzianë, 165 indonezianë, 68 jordanezë, 35 pakistanezë, 35 tunizianë, 11 iranianë dhe 98 indianë kanë humbur jetën. 22 jordanezë të tjerë janë shtruar në spital, ndërsa 16 janë ende të zhdukur, sipas Ministrisë së Jashtme jordaneze.
Dhjetëra iranianë ndodhen në spital për shkak të goditjes nga i nxehti, tha Gjysmëhëna e Kuqe iraniane.
Numri i të vdekurve pritet të rritet shumë më tej, pasi Arabia Saudite dhe Egjipti ende nuk kanë publikuar shifra zyrtare, raporton CNN. Për më tepër, qeveritë janë të vetëdijshme vetëm për pelegrinët që janë regjistruar, por ka më shumë vdekje në mesin e pelegrinëve të paregjistruar.
Pelegrinët e bënë udhëtimin e këtij viti në temperatura të larta deri në 49 gradë Celsius. Ministria saudite e Shëndetësisë zbatoi masa sigurie duke përfshirë stacionet e ftohjes përgjatë rrugës zyrtare dhe u bëri thirrje pelegrinëve të përdorin çadra dhe të qëndrojnë të hidratuar. Pavarësisht kësaj, ngjarja e këtij viti u errësua nga tragjedia, duke ngritur pikëpyetje nëse mund të ishte bërë më shumë për të garantuar sigurinë e njerëzve.
Top Channel