Ukraina, samiti i paqes “pa unitet”: Putini mund të vijë edhe me mandate arresti!

17/06/2024 13:43

Mënyra sesi duhet të përfshihet Rusia në këtë proces u bë shkas që në dokumentin përfundimtar të samitit të paqes për Ukrainën në Zvicër, të mos arrihej unanimiteti mes më shumë se 90 vendeve pjesëmarrëse.

Për dy ditë me radhë në fundjavë në Zvicër u diskutua për të ardhmen e Ukrainës. Vendet pjesëmarrëse në takim u mblodhën për të diskutuar në afërsi të Lucernës dhe në përfundim të samiti, u prodhua një deklaratë në të cilën 80 nga 93 pjesëmarrësit u shprehën, që “integriteti territorial” i vendit të sulmuar nga Rusia të jetë baza e një marrëveshjeje të paqes. Në deklaratën e samitit Rusia bëhet përgjegjëse për luftën në Ukrainë, ku ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime.

Këtë dokument nuk donin ta nënshkruanin ndër të tjera Brazili, Arabia-Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesërisht këto shtete vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë në të ashtuquajturin grupi Brics dhe pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës ruajnë raporte miqësore me Moskën. Në draftin për deklaratën përfundimtare kjo morr në konsideratë, ndaj Rusia nuk dënohet shprehimisht për sulmin e saj.

Sipas kancelarit të Austrisë Karl Nehammer fakti që disa shtete refuzuan ta nënshkruajnë dokumentin ka të bëjë vetëm me disa hollësi mbi terma të caktuara diplomatike. Por baza e përgjithshme e deklaratës nuk cënohet prej kësaj, tha Nehammer, i cili shtoi se ekziston dëshira për një konferencë pasuese për Ukrainën. Presidentja e Zvicrës Viola Amherd sakaq pohoi se me gjasë, do të jetë e mundur që presidenti rus Vladimir Putin të udhëtojë në bisedimet e ardhshme të paqes me Ukrainën, pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) kundër tij.

“Nëse prania e një burri shteti është e nevojshme për një konferencë, atëherë besoj mund të bëhet një përjashtim. Një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare ka vullnetin për të vënë në lëvizje ndryshimin”, tha Viola Amherd, presidente e Zvicrës.

Vetë Volodymir Zelensky e vlerësoi si sukses samitin e Zvicrës dhe tha se shpreson tani për rezultate të shpejta.

Top Channel