“Na konkurron gruri i Serbisë”/ Nis korrja e drithit, fermerët ankohen për çmimin: Po shesim nën kosto, na mbyti importi

14/06/2024 12:57

Në Seman te Fierit ka filluar sezoni i korrjes së elbit dhe grurit. Edhe pse prodhimi është i mbarë falë edhe kushteve atmosferike, fermerët në Seman janë të zhgënjyer nga çmimi i ulët i drithit.

“Kam 80 kw grurë të mbetur stok nga viti i kaluar”, tregon një fermer. “Për pak ditë do të filloj korrjen e grurit të ri dhe nuk kam kushte për magazinim. Ndërkohë, problemi janë edhe brejtësit”.

Me një çmim prej 2500 lekë për kw, fermerët nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet, duke qenë një çmim nën kosto.

“Vitet e shkuara, kur korrnim grurin, vinin tregtarët dhe e merrnin në arë”, tregon Petraq Peto, autokombajnist prej 50 vitesh.

“Ndërsa sot nuk pyet njeri fare. Në zonën tonë prodhojmë grurë bio të mbushur plot me proteina, ndërsa tregu është i mbushur plot me grurë që vjen nga Ukraina dhe Serbia.”

Sipas kultivuesve, tregu nuk ka një rregullator që të përcaktojë një çmim tavan, dhe kjo i bën të stepen. Përvoja e viteve të shkuara ka treguar se për shkak të importit, çmimi ulet dhe fermerët e mbajnë grurin stok.

Për të mos e hedhur, e përdorin si ushqim për bagëtinë. Ndaj, thirrja e tyre shkon për shtetin në këtë moment, kur korrja e grurit sapo ka filluar. Mungesa e një pike për grumbullimin dhe magazinimin e prodhimit paraqet një vështirësi tjetër për fermerët në Myzeqe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA