Prej vitesh kërkojnë certifikimin e ullishteve, subvencione dhe mbështetje për shitjen e vajit të ullirit, por fermerët e Fierit thonë se kërkesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje.
Me një sezon të ri përpara, ata përballen sërish me të njëjtat probleme, kosto të larta prodhimi, mungesë fuqie punëtore dhe një treg që nuk arrin të përthithë prodhimin vendas.
“Kam 700 rrënjë ullinj, por kostot janë shumë të larta. Kemi shpenzime për naftën, frezimin, spërkatjen dhe vjeljen. Kërkojmë ndërhyrjen e shtetit që vaji të shitet me një çmim të arsyeshëm. Nëse vazhdon kështu, do t’i lëmë ullishtet pa punuar dhe të rinjtë do të largohen nga fshati.”
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe përpunuesit, të cilët kanë investuar në fabrika, por rrezikojnë të mbeten pa lëndë të parë, nëse fermerët nuk i vjelin ullinjtë. Edhe ata kërkojnë prej vitesh lehtësi për tregtimin dhe mundësi për të dalë në tregje të reja.
“Prej vitesh kërkojmë subvencione, por asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm vjelja e një kuintali ullinj kushton rreth 30 mijë lekë, ndërsa përpunimi edhe 10 mijë lekë të tjera. Me këto kosto, fermeri nuk del me leverdi. Nëse nuk vjelin fermerët, do të dështojnë edhe fabrikat. Duhet ndërhyrje e menjëhershme.”
Nëse kërkesat do të vijojnë të mbeten pa përgjigje, rreziku është që ullishtet të braktisen, prodhimi vendas të tkurret dhe konsumatorët shqiptarë të varen gjithnjë e më shumë nga vaji i importit.
Top Channel